Taksa ndaj çimentos, 100 transportues protestë në Vermicë

Më shumë se 100 automjete të tonazhit të rëndë, që transportojnë çimento nga Shqipëria në Kosovë, kanë ndalur në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Vërmicës. Shkak është bërë lënia në fuqi e vendimit të ministrisë së Tregëtisë së Kosovës për taksimin në masën 35 % për importimin e çimentos. Biznesmenët kanë kërkuar përmes kësaj proteste që të hiqet apo pezullohet kjo taksë dhe të lejohet qarkullimi i lirë i mallrave mes Shqipërisë e Kosovës.
Më shumë se 40 për qind e tregut të Kosovës mbulohet nga mallrat e importit me Shqipërinë. Për vitin 2011 nga Fushë Kruja janë importuar 175 mijë ton çimento në vlerën e 12 milion eurove. Ndërsa në gjashtë mujorin e parë të këtij viti është importuar drejt Kosovës rreth 135 mijë ton çimento me një vlerë financiare prej rreth 10 milion euro.
E gjithë kjo infrastrukturë e ngritur prej vitesh është një proces zinxhir që mban në këmbë rreth 200 kompani të Kosovës me më shumë se 1000 të punësuar, e po ashtu fabrikën e çimentos në Fushë Krujë me shumë se 500 të punësuar.
Albanian Screen
Add new comment