Sulm kibernetik Ministrisë së Drejtësisë

Vetëm dy javë pas sulmit kibernetik ndaj faqes së Kryeministrit Rama, i njëjti grup shqiptarësh ka sulmuar faqet në internet të shërbimeve të Ministrisë së Drejtësisë. Goditja është bërë një javë nga paralajmërimi i fundit që grupi shqiptar i hakerëve, i identifikuar si RedAnons_Al, bëri nëpërmjet internetit, i cili shprehet se ka arritur të marrë shumë informacione konfidenciale dhe kërcënon se do t’i publikojë, nëse qeveria shqiptare nuk plotëson kushtet e vëna prej tyre.
Paralajmërimi i hakerëve
Në njoftimin e publikuar një javë më parë, RedAnons_Al shprehet se qeveria e mëparshme ka sjellë vendin drejt shkatërrimit, sidomos nga viti 2009 deri në 2012-n. “Pasojat i vumë re gjatë kohës që ndodheshim në Shqipëri. Ne nuk mund të jetonim atje, pasi gjithkush kishte dëshirën për të vjedhur sa më shumë të mundeshin; nuk lanë asgjë për të varfrit! Kudo mund të dëgjoje njerëz që thoshin se dhanë para për këtë apo atë shërbim në kohën që ato janë falas. Mund të shihje Sali Berishën të mburrej për iPad-in e ri që në fillim të edicionit të lajmeve, ndërsa në fund të tyre mund të shihje njerëz pa çati mbi kokë dhe pa bukë për të ngrënë. Kjo është e papranueshme dhe këto ishin arsyet që vendosëm të iknim larg Shqipërisë. Shpresojmë që qeveria do të punojë për të mirën e qytetarëve. Jemi optimistë, por nëse nuk do të përmbushin programin në të paktën 90% të saj, pas më pak se katër vitesh do të bllokojmë të gjithë serverët qeveritarë. Ky është një premtim”, janë shprehur RedAnons_Al para një jave, duke deklaruar se pas 7 ose 14 ditësh, do të kryhet një tjetër sulm. Ata thanë se do të publikonin informacion jo shumë të rëndësishëm, thjesht për të treguar se janë brenda serverëve dhe do të bënin publike kërkesat e tyre rreth padrejtësive nga administrata publike.
Goditja ndaj Drejtësisë
Pikërisht pas një jave, dy net më parë, ata sulmuan Ministrinë e Drejtësisë. Ata kanë publikuar një video në YouTube për sulmin kibernetik, ku kanë publikuar edhe adresat përkatëse për materialet e vjedhura. “Objektivi ynë i radhës janë shërbimet e Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë këtij operacioni është bërë e mundur hyrja në sisteme qeveritare. Si fillim do të paraqesim provat për ndërhyrjen në shërbimin e përmbarimit, si dhe atë të regjistrit noterial. Këta serverë kanë qenë nën zotërimin tonë për një kohë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj kohe, është bërë i mundur shkarkimi i çdo dokumenti që ndodhet në këta serverë”, janë shprehur ata.
Korrespondenca mes zyrtarëve
Më tej, shpjeguan se fillimisht do të paraqisnin ankesat e tre qytetarëve që i kanë kontaktuar, të cilët u kanë dhënë lejen për publikimin e rasteve të tyre në mënyra të ligjshme. “Por, ne e kemi humbur termin drejtësi kur bëhet fjalë për shtetin shqiptar. Nëse nga ana e organeve kompetente nuk do të merret asnjë hap konkret për rishikim të këtyre çështjeve, brenda 90 ditëve nga publikimi i sulmit tonë, ne do të fillojmë publikimet e para të dokumenteve personale të 100 personave dhe do të bëhet e njëjta gjë për çdo ditë, deri në verifikimin e çështjeve. Nëse edhe pas një muaji nuk do të bëhet asgjë, ne do të fillojmë publikimin e komunikimeve të zyrtarëve të kësaj qeverie, duke përfunduar me një surprizë të pakëndshme për hapësirën kibernetike shtetërore”, ka paralajmëruar grupi i hakerëve. Në përfundim të mesazhit paralajmërues, ata kanë bërë edhe një falënderim për dy ministra shqiptarë. “Duam të falënderojmë ministrat Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri për performancë shumë të mirë në punën e kryer gjatë kësaj kohe të shkurtër në detyrat e tyre. Shpresojmë të vazhdojnë kështu siç e kanë nisur. Shqipëria ka nevojë për të rinj energjikë si puna juaj”, përfundon mesazhi i tyre.
Sulmi ndaj faqes së Kryeministrit
Grupi RedAnons_Al nisi publikimin e paralajmërimeve për shtetin shqiptar para dy javësh, duke bërë publikime të ndryshme në YouTube. Ndërhyrja e parë në rrjetin online të qeverisë ishte ajo e natës së Vitit të Ri, ku ata publikuan postën elektronike që qytetarë të ndryshëm i kishin dërguar Kryeministrit të Shqipërisë. Sipas tyre, sulmi u bë për shkak të pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama në meshën e mbajtur në gjuhën greke. “Turp për këtë veprim. Gjithashtu arsye tjetër e këtij sulmi është dhënia e së drejtës një kompanie rumune për realizimin e faqeve zyrtare dhe jo atyre shqiptare, ndërkohë që janë anashkaluar vërejtjet tona për sigurinë e faqeve zyrtare. Madje jemi vetofruar si vullnetarë që në mes të tetorit”, u shprehën ata pas sulmit të faqes së Kryeministrisë. Ble. Gi.
Kodi Penal
Neni 192/b
Hyrja e paautorizuar kompjuterike
Hyrja e paautorizuar apo në tejkalim të autorizimit për të hyrë në një sistem kompjuterik a në një pjesë të tij, nëpërmjet cenimit të masave të sigurimit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në sistemet kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile, të shëndetësisë apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
6 kërkesat
Kushtet e vendosura nga grupi i hakerëve
1. Në asnjë lloj mënyre të mos ketë marrëveshje me Greqinë në dëm të Republikës së Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat, ose vendime për leje të kompanive të lidhura me shtetin grek dhe bashkëpunëtorë të tyre, që të bëjnë kërkime në ujërat shqiptare. (Nëse ndodh e kundërta, posaçërisht me këtë kërkesë do të ketë publikime të komunikimeve të zyrtarëve të lartë të qeverisë aktuale si dhe kaos në hapësirën kibernetike të vendit. Duam të shtojmë vetëm diçka: Fisnik Kruja, faleminderit që nuk je shumë i zoti sa i përket sigurisë)
2. Të hapet hetim për akordimin e 34,238,904 lekë nga paratë e taksapaguesve për dixhitalizimin e regjistrit noterial. Është një shumë tmerrësisht shumë e lartë për shërbimin final që është katastrofë e vërtetë. Programi final i realizuar është diçka shumë e thjeshtë dhe mund të realizohej me shumë më pak para. Të hetohet pasuria e Aristotel Agarajt dhe familjarëve të tij dhe të revokohet çmimi dhënë drejt tij nëse ai gjendet fajtor. Deklaratat e ish-ministrit Halimi se nga puna e Aristotel Agarajt u kursyen më shumë se 300 mijë euro është e pavend për ata që janë specialistë në këtë fushë, duke parë punën përfundimtare.
3. Të çohet deri në fund hetimi dhe procedimi penal ndaj Arben Imamit. Përveç grabitjes së parave të taksapaguesve, ai nuk duhej të bëhej kurrë ministër e aq më tepër ministër i Mbrojtjes. Ne nuk e harrojmë kurrë vitin 1997, kur ai ngriti flamurin grek në Sarandë. Gjest i turpshëm dhe skandaloz. Historia patjetër që do ta gjykojë, por Shqipëria kërkon drejtësi ligjore për të gjitha veprimet joligjore të kryera nga ai gjatë kohës që kishte poste zyrtare.
4. Të ketë kontroll të rreptë të të gjithë personave zyrtarë që kanë poste shtetërore e që kanë lidhje me LSI-në, sepse 90% e LSI-së janë njerëz të korruptuar.
5. Të bëhen amendamente të ligjeve në fuqi sa i përket hetimit të zyrtarëve, të mos ketë afate ligjore për hetimin e tyre, sepse me këto praktika, ata nuk do të dënohen kurrë.
6. Të rishikohen të gjitha gjobat e vëna nga policia rrugore në dëm të qytetarëve për të verifikuar vlefshmërinë e tyre.
Reagimi
Ministria e Drejtësisë: Nuk u sulmua faqja jonë
Ministria e Drejtësisë ka pohuar dje pasdite se sulmi kibernetik nuk ka ndodhur në faqen e saj në internet, por në disa faqe të tjera, që nuk menaxhohen nga specialistët e kësaj ministrie. Burime pohuan se hakerët kanë sulmuar disa linqe, të cilat ndodheshin në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, si ajo e noterisë dhe e përmbarimit, duke marrë të dhëna personale. “Nuk është cenuar faqja e internetit e Ministrisë së Drejtësisë, por faqja e internetit e Noterisë dhe e Përmbarimit. Specialistët e IT-së në ministri kanë monitoruar gjatë gjithë kohës faqen, dhe për asnjë moment, nuk është mbivendosur ndonjë mesazh nga hakerët, apo ndonjë ultimatum. Faqja e internetit ka qenë gjatë gjithë kohës në funksionim të plotë dhe nuk kanë marrë asnjë të dhënë, qoftë për qytetarët, ashtu edhe për zyrtarët e këtij dikasteri”, pohojnë burimet, të cilat shtojnë se menaxhimi i faqeve të internetit që janë sulmuar nuk kontrollohen apo menaxhohen nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë.
Hetimet
Policia: Nuk kemi marrë asnjë kallëzim për sulmin
Policia nuk ka nisur asnjë hetim për sulmin në faqen e internetit të Noterisë dhe Përmbarimit. Burimet policore pohuan për Shqip se institucionet e prekura nga hakerët duhet të bëjnë një kallëzim pranë sektorit që mbulon krime të tilla në Policinë e Tiranës. Të njëjtat burime shtojnë se, në momentin që ekspertët marrin në dorë denoncimin, nis menjëherë puna për identifikimin e personave që kryen sulmin në faqet zyrtare. “Nuk jemi në dijeni që ministria ta këtë bërë një gjë të tillë, e për pasojë nuk mund të nisin edhe hetimet”, thonë burimet e policisë. Ndërkaq, bëhet me dije se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në Policinë e Tiranës nuk ka mbërritur asnjë denoncim nga institucionet e tjera të prekura. Krimet kompjuterike janë mjaft të vështira për t’u zbardhur dhe aq më tepër zbulimi i autorëve. Të vetmet raste që janë zbuluar në Shqipëri, dosja ka ardhur nga shtetet e tjera, kryesisht nga SHBA-ja.
SHQIP
Add new comment