Statusi, Fyle sërish në Tiranë

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle do të vijë sërish në Tiranë në muajin shkurt për të vijuar pjesën e dytë të dialogut të nivelit të lartë me autoritetet shqiptare.
Drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Jean-Eric Paquet thotë në një intervistë për Top Channel, se shumë shpejt do të përgatitet raporti i ri për Shqipërinë për statusin kandidat në qershor. Në këtë dokument, sipas tij, do të reflektohen zhvillimet e fundit, veçanërisht në luften ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
TCH: Cilat janë shqetësimet tuaja kryesore sa i takon kandidaturës, meqë ju do të raportoni sërish ndaj vendeve anëtare, siç vendosi Këshilli në Dhjetor?
Paquet: Mendoj se është një proces në vazhdim e sipër. Ajo që ndodhi në dhjetor ishte për mua një njohje mjaft e dukshme e asaj çfarë kishte ndodhur në Shqipëri përgjatë vitit 2013. Sikundër gjithë institucionet e BE-së, të gjitha vendet anëtare u impresionuan shumë nga arritjet e Shqipërisë gjatë 2013. Sigurisht, në anën tjetër, vendet anëtare menduan se puna për reformat, mbi të cilat është angazhuar në mënyrë efektive qeveria në shtator, ishte shumë e shkurtër për shkak të kohës. Kështu që tani do të përgatisim së shpejti një raport tjetër për t'ia paraqitur Këshillit të ardhshëm në Qershor. Ky raport do të përgatitet me partnerët tanë dhe administratën, në mënyrë që të reflektojmë në të vazhdimin e procesit të reformave, veçanërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar, që janë dhe dy fushat më të rëndësishme për reformat e nevojshme të vendit. Do të mundohemi gjithashtu të mbulojmë edhe përpjekjet për reformat e tjera në përgjithësi, e mbi këtë bazë Këshilli është shprehur se mezi pret që të marrë vendimin për statusin kandidat për Shqipërinë.
TCH: Po deri tani, a keni mbetur të kënaqur me çfarë ka ndodhur në vend?
Paquet: Raporti i progresit në tetor ishte shumë pozitiv për punën e kryer, siç e thashë gjatë 2013-s. Ju e dini se komisioneri Fyle, por edhe ne si staf kemi vlerësime mjaft të mira për punën që u krye nga ky raport i tetorit deri në dhjetor. Por, kjo punë do të vijojë. Ne jemi vetëm pak ditë pas dhjetorit, nëse marrim parasysh pushimet e fundvitit. Kështu që tani do të nisim nga puna. Unë isha në Tiranë pak ditë më parë, por më e rëndësishme është se komisioneri Fyle do të shkojë në Tiranë pas disa javësh (në Shkurt) dhe përpjekjet për reformat vijojnë dhe duhet të vazhdojnë. Kjo është ajo çfarë unë dëgjoj në mënyrë të qartë prej qeverisë suaj dhe prej Parlamentit gjithashtu. Kjo është pjesë e axhendës europiane po ashtu.
TCH: Komisioneri Fyle shkon për Dialogun e nivelit të Lartë...
Paquet: Po. Siç u ra dakort gjatë vizitës së tij të mëparshme në fillim të dhjetorit në Tiranë, kjo vizitë do të jetë për seksionin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë, por dukshëm do të përbëjë një moment të duhur për të biseduar me qeverinë dhe me disa përfaqësuesë të opozitës, veçanërisht me zonjën Bregu që drejton Komisionin e Integrimit, meqënëse ajo është dhe pjesë e këtij Dialogu, për situatën aktuale dhe pritshmëritë për vendin gjatë 2014-s.
TCH: Për ju, a është ende e mundshme që përkrah dhënies së statusit kandidat, në rast të një vendimi pozitiv nga Këshilli në qershor, të nisin dhe proçedurat për negociatat e anëtarsimit, mbase pa caktuar datën?
Paquet: Mendoj se për tani, qeveria është fokusuar në punën për të marrë statusin kandidat. Gjykoj se kjo është një qasje e mënçur. Sigurisht që ka shumë reforma e punë të tjera që vijojnë në Shqipëri dhe po përgatisin terrenin për fazën tjetër të vendimit, por mendoj se fokusi i tyre për tani është statusi kandidat dhe këtë përmban dhe aktualisht axhenda e 2014-s, për në qershor 2014.
Jean-Eric Paquet ka komentuar edhe Fototekën e Marubit që është hapur në Bruksel.
Paquet: Është një ekspozitë absolutisht e bukur. Jam vërtet i lumtur që u hap këtu në Bruksel. Ekspozita i jep kuptim nga pikpamja e historisë, por dhe e kulturës, Shqipërisë. I jep vendit një imazh të bukur, e në këtë këndvështrim e shoh mjaft prekëse. Më vjen mirë që ndodh sot pasi është një ekspozitë e përbashkët e Shqipërisë dhe Malit të Zi, për qytetin e Shkodrës dhe fqinjin e saj malazez, dhe u mbështet nga programi europian, me fondet e IPAs. Mendoj se tregon disi rreth Europës e asaj çfarë përmban dhe agjenda europiane e Shqipërisë. Ka të bëjë me afrimin, përtej kufijve, me fqinjët dhe ndërtimin me ta. E kjo ekspozitë e përbashkët, e tregon më së miri këtë. Është moment mjaft i shkëlqyer.
TCH: Po është. Dhe përkon në fakt me një tjetër ngjarje, zhvillimet tragjike të 21 Janarit 2011, çfarë mendoni për atë që ndodhi dhe a është vënë në vend drejtësia?
Paquet: Nuk isha këtu për ngjarjet tragjike. Nuk bëja këtë detyrë, por diçka tjetër në atë periudhë. Jam në dijeni të këtij momenti të vështirë të historisë më të fundit të vendit tuaj. Qartazi, në punën e përbashkët që ne bëjmë me Shqipërinë, sundimi i ligjit është në mënyrë absolute proces thelbësor. Në këtë kuadër, ne presim shumë që procesi do të mbyllet me efiçensë e në mënyrë korrekte, pasi mendoj se vazhdon ende e nuk dua të paragjykoj përfundimet e një procesi gjyqsor.
Top channel
Add new comment