Spahiu komenton 21 janarin: Berisha nuk do i shmanget burgimit të përjetshëm për krimet e bëra

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i ka bërë apel institucioneve dhe publikut me rastin e dy vjetorit të vrasjes së 4 qytetarëve më 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Për herë të parë në historinë e 100 viteve shtet, një kryeministër vret dhe godet me armë mbi popullin e tij. As diktatori i fundit komunist Ramiz Alia nuk guxoi të shtinte mbi popullin në Tiranë dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kur protestuam dhe e rrëzuam nga pushteti 23 vite më parë. Shtetasi Berisha kur nuk shtiu me armë për të mbrojtur atdheun, por gjithmonë ai ka qëlluar për të mbrojtur karrigen e tij duke vrarë kundërshtarët politik dhe popullin e thjeshte”, deklaroi Spahiu
Lideri i kuqezinjve renditi me tej tre akuzat kryesore për të cilat Sali Berisha duhet të konsiderohet i pandehur.
“Aleanca Kuq e Zi deklaron zyrtarisht se i pandehuri Berisha ka kryer tre krime të rënda:
1. Vrasje masive në bashkëpunim dhe me paramendim,
2. Tradhti kombëtare duke dorëzuar pjesërisht territorin shqiptar tek shtetit grek
3. Korrupsion aktiv në mënyrë sistematike.
Për të tre këto krime dhe vepra të rënda ai nuk mund t’i shmanget dënimit me burgim të përjetshëm. Aleanca Kuq e Zi i bën apel të gjithë popullit shqiptar që të bashkohet dhe të organizohen për t’iu bashkangjitur Aleancës Kuq e Zi në “Pranverën Shqiptare” për ta rrëzuar nga karrigia para zgjedhjeve të 23 qershorit njeriun, i cili qeveris me duar të gjakosura”, u shpreh Kreshnik Spahiu.
“Aleanca Kuq e Zi do të nisë atje ku u ndërpre 21 janari aksionin për ta zbuar nga zyra të pandehurin Berisha. Ai meriton që populli ta zvarrisë në të njëjtën mënyrë siç popujt e tjerë në Europë, Afrikë apo Azi kanë bërë me diktatorët e tyre. Shqiptarë pa dallim feje, krahine dhe ideje bashkohuni rreth Aleancës Kuq e Zi për të rrëzuar regjimin politik më të inkriminuar të 100 viteve shtet shqiptar”, përfundoi deklaratën e tij Spahiu.
TEMA
Add new comment