S&P: Gjermania vlerësim maksimal edhe në rast recesioni

Zyrtari i agjencisë Standard and Poor's për Evropën, Moritz Krämer, u shpreh në një intervistë publikuar sot se Gjermania do të ruajë vlerësimin e saj "AAA", më i miri i mundshëm, edhe nëse këtë vit do të ketë recesion.
"Mendojmë se Gjermania ndodhet në një pozidion relativisht të fortë dhe se ajo do ta përballonte një recesion të mundshëm këtë vit pa humbur vlerësimin aktual", deklaroi ai për të përditshmen "Bild".
"Standard and Poor's" ka ulur të premten vlerësimin për shumë vende evropiane, ndër të cilat Franca, e cila humbi vlerësimin maksimal "AAA" duke zbritur me një shkallë. Përkundrazi, Gjermania do ta ruajë këtë vlerësim të shkëlqyer.
Tashmë në zonën euro, vetëm katër vende mund të mburren se janë vlerësuar kështu nga S&P: Gjermania, Finlanda, Holanda dhe Luksemburgu.
Qeveria gjermane pritet të publikojë sot parashikimin për rritjen ekonomike në vitin 2012. Sipas shtypit, ajo pritet të jetë 0,7 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto këtë vit, gjë që do të thotë se ekonomia më e madhe në Evropë, pavarësisht një ngadalësimi këtë dimër, do të vazhdojë me rritje pozitive në nivel vjetor.
Megjithatë, disa ekonomistë e vlerësojnë të mundshme një rënie të lehtë të PBB-së gjermane për të gjithë vitin 2012.
Ballkanweb.com
Add new comment