Skema e re e pensioneve, ministri Veliaj bashkëbisedim me studentët.

Ministri i MirëqeniesSociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, shprehu të enjten angazhimin e qeverisë për ta kaluar këtë vit në parlament skemën e re të pensioneve.Në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Tiranës ministri Veliaj spjegoi rëndësinë e reformës së pensioneve, sidomos për brezin e ri.
Duke u ndalur tek propozimet për këtë reformë, Veliaj tha se për të rinjtë e sotëm, që kanë një punë më të mirë dhe po ashtu një rrogë më të mirë do të hiqet tavani i kontributeve.
“Kështu, tavani i pensionit do të funksionojë si llogaria në një depozitë bankare, por që do ta mbajë Instituti i Sigurimeve Shoqërore. “Kjo do të thotë që ai që paguhet me një rrogë të mirë dhe derdh një kontribut të lartë do të ketë dhe një pension të mirë”, tha ministri Veliaj.
Sipas tij, gjenerata e të rinjve të sotëm do të jetë e para që do të përfitojë nga skema e re e pensioneve dhe janë ata, që pas 30 vjetësh kur do të dalin në pension, do të vjelin frytet e ligjit të ri.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tha se një tjetër risi në kuadër të reformës së pensioneve është dhe pensioni social. “Ne duam të vendosim një pension social, duke i dhënë vëmendje asaj pjese të popullsisë që është e papunë dhe nuk ka mundësi të paguajë kontribute”, tha Veliaj.
Një tjetër propozim i prezantuar prej tij ishte dhe bashkimi i skemës urbane të pensioneve me atë rurale. “Ne synojmë të bashkojmë në një të vetme skemat urbane me ato rurale, pasi nuk duhet të ketë më diferenca mes atij që jeton në fshat dhe atij në qytet”, nënvizoi ai.
Një tjetër risi e reformës së re të pensioneve lidhet me krijimin e skemave profesionale, kryesisht për ata punëtorë që kanë profesione të vështira, siç ai i minatorit. ”Një minator sot, me shumë, gjasa nuk i mbush as 60 vjeç dhe tek kjo një impakt të madh ka puna që ai bën, e cila ndikon direkt mbi cilësinë e jetës së tij. Kjo na shtyn që ta ulin moshën e daljes në pension të minatorëve”, theksoi ministri Veliaj.
Shpjegimet e sotme në takimin me studentët ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i bëri në kuadër të debatit publik, ku do të prezantohet skema e re e pensioneve.
Add new comment