Shkurtimet në parlament, Samaras: Paketa e fundit për Greqinë

Postuar në 05 Nëntor, 2012 09:39

Vota kritike për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm që pritet në parlamentin grek, do t'u japë fund spekulimeve për daljen e Greqisë nga zona euro. Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Athinës e kanë përmbledhur kështu, inkurajimin ndaj deputetëve të koalicionit për të votuar ndryshimet në rregullat e tregut të punës, masat e reja të kursimit dhe projektbuxhetin. 

Vetë kryeministri Samaras, duke njohur rëndësinë e votimit, ka theksuar se këto masa janë të fundit që do të ndërmerren në Greqi, mirëpo nuk është e këtij mendimi opozita e cila ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Lideri i Syrizës, koalicionit të radikalëve të majtë në opozitës, Aleksis Cipras kërkoi zgjidhje politike.

"I bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të marrin përgjegjësi patriotike. Por, në radhë të parë, i bëjmë thirrje popullit grek të nisin një kryengritje paqësore që masat të mos kalojnë", tha Cipras.

Paketa nuk mbështetet as nga partneri më i vogël e koalicionit qeverisës, E Majta Demokratike. Kreu i saj, Fotis Kuvelis konfirmon kundërshtinë me paketën, duke theksuar se ky pozicion nuk synon të minojë lëvrimin e këstit të ndihmës financiare për vendin dhe as qëndrimin e Greqisë në eurozonë.

Qeveria e Samaras duhet të sigurojë miratimin në parlament për masat e reja të kursimit së bashku me buxhetin e 2013-ës, në mënyrë që të marrë këstin e FMN-së dhe BE-së, të domosdoshme për të shmangur falimentin në fund të muajit. 

Demokracia e re e Samaras dhe shumica e deputetëve socialistë të PASOK, me gjasa do të arrijnë kalimin e paketës me votim të ngushtë, të mërkurën. Më 11 nëntor, duhet që ligjvëënsit të miratojnë buxhetin, dhe sipas samaras, kur kjo të ndodhë, nuk do të ketë më biseda për daljen e Greqisë nga eurozona.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.