Shkodër, grabitet një pikë këmbimi valutor, policia në kërkim të autorëve

SHKODER- Dy persona të maskuar, me një motoçikletë të zezë sportive, dhe të armatosur njëri me pistoletë dhe tjetri me kallashnikov, kanë arritur të grabisin në qendër të Shkodrës një dyqan të këmbimit valutor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 minuta në vendin e quajtur “Tek dollari” kur dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në dyqanin e këmbimit valutor në të cilin ndodheshin dy punonjëset.
Nën kërcënimin e armëve ata kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme lekësh të cilat ishin xhiroja e ditës pasi mësohet se punonjëset po bëheshin gati për të mbyllur dyqanin.
Dy grabitësit kanë arritur të largohen me njëherë nga vendi i ngjarjes të pashqetësuar nga askush.
Ndërsa forcat e policisë të mbërritura pas disa minutash kanë nisur hetimin rreth kësaj ngjarje.
Vetëm një javë më parë në lagjen “Rus” të Shkodrës, në mes të ditës është grabitur një argjendari, ndërsa grabitësit kishin një motoçikletë sportive të zezë, ç'ka çon në dyshimin se mund të kenë lidhje këto dy grabitje.
Add new comment