Shkencëtarët e huaj: Liqeni i Prespës në rrezik, është çarë tabani

Një grup shkencëtarësh zviceranë dhe austriakë, gjatë një studimi që po bëjnë në liqenin e Prespës, kanë konstatuar se niveli i këtij liqeni ka rënë 10 m. Sipas shkencëtarëve të huaj, nga 54 m që ka qenë thellësia e liqenit, pas matjeve të bëra me mjete të sofistikuara dhe bashkëkohore, ka rezultuar se aktualisht thellësia e tij është 44 m.
Jo vetëm kaq, por ata kanë vënë re një çarje në tabanin e liqenit, e cila ka sjellë humbjen e nivelit me dhjetë metra. Studiuesi Johan Peklaner pohon se rënia e nivelit të liqenit të Prespës do të ketë pasoja edhe për liqenin e Ohrit, i cili rreth 70 për qind të furnizimit me ujë e ka nga Prespa. Gjithashtu, nga kjo fatkeqësi natyrore do të preken edhe burimet e Tushemishtit dhe ato të Shën Naumit. Lajmi i dhënë nga shkencëtarët zviceranë dhe gjermanë se, nga çarja që ka pësuar tabani i liqenit të Prespës, niveli i tij brenda pak kohësh ka rënë me 10 m, ka shkaktuar panik tek banorët e zonës.
Peshkatari i vjetër nga Prespa, Sllave Petro thotë për Gazetën se “është një tragjedi e vërtetë kur e shohim që liqeni që mban afro 5000 banorë rreth tij, po jep shpirt. Uji po shteron me shifra tronditëse. E kuptoni ç’do të thotë t’i hiqet 10 m thellësi liqenit?”. Ndërkohë, bëhet me dije se qeveria gjermane ka akorduar 3.5 milionë euro për të ndalur këtë fenomen të natyrës, i cili, përveç pakësimit të ujit, po shkatërron ekosistemin dhe gjallesat e shumta të liqenit. Burime nga Korça deklarojnë se këto ditë do të ngrihet një komision shkencëtarësh që do të vendosin konkretisht se çfarë do të bëjnë për minimizimin e kësaj fatkeqësie natyrore.
Ballkanweb.com
Add new comment