SHBA: S'e tolerojmë bllokimin e ngushticës

Disa orë pasi Irani kërcënoi komunitetin ndërkombëtar me mbylljen e ngushticës së Hormuzit, në rast të vendosjes së sanksioneve ndaj vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përgjigjën në mënyrë të ashpër.
“Çdo bllokim apo pengesë lundrimi në ngushticën e Hormuzit nuk do të tolerohet”, kështu deklaroi një zëdhënës i flotës “V” amerikane që ndodhet në këtë zonë. Një reagim i Departamentit të Shtetit pritet të pasojë.
Fjalët e zëdhënësit ushtarak bëjnë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë të gatshme të angazhohen edhe në veprime ushtarake ndaj shtetit të madh aziatik, për të ruajtur lirinë e lëvizjes në një pikë jetike për transportin e karburanteve dhe tregëtinë ndërkombëtare.
Nëpërmjet ngushticës së Hormuzit, kalon 40% e sasisë së naftës në vendet perëndimore. Ai lidh vendet prodhuese të naftës si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe Bahreini me Oqeanin Indian dhe më pas me Kanalin e Suezit.
”Çdo vend që kërcënon të dhunojë lirinë e lëvizjes së lirë në një zonë me interes ndërkombëtar është i përjashtuar nga bashkësia e madhe e kombeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të bëjnë sehir nëse do të hidhen hapa për të shndërruar kërcënime të tilla në realitet”, shtoi zëdhënësi.
Irani: Bllokojmë rrugëkalimin e naftës
Më parë gjatë së mërkurës, Irani deklaroi se mund të mbyllë një rrugë kryesore të kalimit të naftës në perëndim, nëse ndaj vendit do të vendosen sanksione të mëtejshme për zhvillimin e programit të tij bërthamor.
Zëvendëspresidenti Mohammad Reza Rahimi paralajmëroi të mërkurën se “asnjë pikë nafte” nuk do të kalojë në Gjirin e Hormuzit nëse embargo do të forcohet.
Admirali dhe komanduesi i të gjitha forcave detare, Habibollah Sayari, deklaroi më pas se një veprim i tillë ushtarak nuk do të ishte aspak i vështirë nga forcat ushtarake iraniane. “Për forcat tona detare, një veprim i tillë do të ishte po aq i thjeshtë sa edhe pirja e një gote uji. Për momentin, nuk e kemi parë të arsyeshme që të ndërmarrim një veprim të tillë që do të godiste rëndë ekonominë botërore, por nëse vendi ynë do të izolohet, do të jetë i detyruar ta bëjë këtë”, tha ai.
Sipas Shteteve të Bashkuara, Irani është duke u përpjekur të ndërtojë armë bërthamore. Vetë Teherani e pranon që po zhvillon energjinë bërthamore, por thekson se diçka të tillë e bën vetëm për përdorim civil.
Vendet perëndimore paralajmëruan gjatë dhjetorit për një seri të re masash ndaj Iranit, pas një raporti shqetësues të Organizatës së Energjisë Bërthamore, strukturë e OKB-së.
Add new comment