SHBA, Nishani me sipërmarrësit shqiptarë: Më pranë se kurrë BE-së.

Postuar në 28 Shtator, 2014 04:46

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim me anёtarёt dhe drejtuest e Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me tё cilёt zhvilloi njё bashkёbisedim pёr zhvillimet nё Shqipёri, perspektivёn e integrimit, marrёdhёniet me Shtetet e Bashkuara, si dhe bashkёpunimin me diasporën.

Në fjalën e tij Presidenti Nishani, teksa vlerësoi kontributin e dhënë nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara, theksoi se janë rreth 1.2 milionë shqiptarë  të cilët jetojnë e punojnë jashtë vendit duke dhënë kontributin e tyre, siç u shpreh Presidenti për progresin e vendit.

“Së pari, ne nuk do të lodhemi duke përmendur dhe përsëritur atë që është arritur në histori si kontributi më i madh, që janë përpjekjet e admirueshme dhe mbështetja e ofruar nga komuniteti shqiptar në Amerikë, bijtë dhe bijat e Shqipërisë, zemra e të cilëve, pavarësisht distancës, kurrë nuk pushuan së rrahuri me ritmin e vëllezërve dhe motrave në atdhe. Respekti ynë dhe vlerësimi për ta është vendosur përfundimisht në altarin e vlerave më të larta të kombit. Është gjithashtu një e vërtetë e padiskutueshme se rreth 1.2 milion shqiptarë - më shumë se një e treta e popullsisë në vend sot - të cilët e kanë bërë zgjedhjen, gjatë dy dekadave të fundit, të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, japin një kontribut të çmuar dhe të mirëpritur në mënyra dhe forma të ndryshme, madje edhe kur ai nuk është drejtpërdrejt i dukshëm.” u shpreh Presidenti

Sa i përket zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Nishani vuri në dukje prcesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se tashmë pas marrjes së statusit kandidat, vendi ynë është më afër se kurrë BE-së. 

“Shqipëria është anëtare e NATO-s - dhe pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, të gjithë e kuptuan menjëherë rëndësinë strategjike të kësaj arritje të madhe të Shqipërisë. Ndërkohë, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat në BE disa muaj më parë dhe ajo është më afër se kurrë me BE-në. Pikërisht për arsyen se jemi në rrugën e një zhvillimi dinamik, me qëllime ambicioze, dhe duke u përballur, si çdo vend, me atë që e ardhmja parashikon për ne, ne kemi nevojë edhe për më shumë miq, më shumë lidhje, më shumë njohje, dhe më shumë mundësi. Prandaj, një organizim më i mirë, bashkëpunim edhe më i afërt për të maksimizuar ndikimin në shoqërinë në të cilën ne jemi të integruar, është ndoshta mbështetja më e madhe dhe cilësore që mund të jepet për Shqipërinë, për Kosovën, për botën shqiptare, si pjesë e pandarë e botës perëndimore.” theksoi Presidenti

Duke vijuar më tej, Nishani tha se SHBA si dhe organizimi i komunitetit që ka ky vend, duhet të jetë shembulli që duhet ndjekur për të vijuar zhvillimi i vendit tonë, duke shtuar se mënyra më e mirë që ata mund t’i shërbejnë Shqipërisë, është organizimi dhe integrimi i tyre sa më i mirë në komunitetin ku jetojnë e punojnë.

“Në një vend si SHBA, ku organizimi i komunitetit është jo vetëm një e drejtë, por një mënyrë e funksionimit të shoqërisë, aftësia për të bashkuar kontributet personale është një garanci për sukses. Kështu, unë do të doja t’ju inkurajoj që të ofroni praninë e aktivitetit tuaj në këtë vend në të gjitha dimensionet e mundshme të suksesit dhe prosperitetit për ju dhe familjet tuaja, por edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë. Edhe pse gjeopolitika e sotme nuk mund të përcaktohet lehtë, nuk ka dyshim se roli, zëri, ndikimi dhe impakti i Shteteve të Bashkuara në botë do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në aspektin e politikës të zhvillimit ndërkombëtar. Ky vend ka mbërritur këtu, ku është tani, falë lirisë, iniciativës individuale, kurajos për tu përballur me rreziqe dhe, për shkak se është bazuar tek barazia shoqërore para ligjit. Më lejoni të theksoj se kontributi më i mirë, më i vyer që mund t`i jepni Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare është të organizoheni, të gjeni mënyrën për të qenë sa më të integruar në shoqërinë ku jetoni dhe si të tillë e me një zë të fortë të mund të ndikoni aty ku keni mundësi për të bërë që të tjerët të na njohin, me ato që kemi më të mira dhe të mundësoni që interesat që na lidhin e bashkojnë të mbrohen e nxiten më së miri.” tha Presidenti Nishani

Presidenti Nishani ishte gjithashtu i ftuar edhe nga Organizata “Rrёnjёt Shqiptare”, njё organizatё qё punon pёr promovimin e trashёgimisё kultuore shqiptare, pёr tё kremtuar pesёvjetorin e themelimit tё saj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.