SHBA, fushata përqëndrohet tek punësimi

Shqetësimet ekonomike po mbizotërojnë garën presidenciale amerikane, pak ditë pasi raporti mujor mbi punësimin tregoi krijim të dobët të vendeve të punës. Sondazhet e opinionit publik e tregojnë vazhdimisht ekonominë si shqetësimin kryesor të votuesve.
Shifrat zhgënjyese të raportit të së premtes mbi punësimin janë duke luajtur një rol kryesor në argumentet e fushatës të kandidatit presidencial republikan Mitt Romney.
"Nuk jemi duke krijuar vende pune mjaftueshëm për të përballuar rritjen e popullsisë. Ky nuk është lloji i lajmeve që populli amerikan meriton apo që shpresonte të merrte. Por unë jam këtu për t'ju thënë se së shpejti gjërat do të shkojnë më mirë."
Zoti Romney u tha përkrahësve në Virxhinia se ai do të ringjallë rritjen e ngadaltë ekonomike të Amerikës, nëse ai zgjidhet president në nëntor.
Ndërkohë, Presidenti Barak Obama i pranoi problemet ekonomike të SHBA-së, ndërsa bëri fushatë në Florida.
"Askush nuk është i kënaqur me situatën e tanishme. Ka shumë njerëz të cilët ende kanë nevojë për një vend pune. Dhe pyetja nuk është nëse kemi apo jo nevojë për të bërë më shumë përparim. Pyetja është se si do ta realizojmë atë."
Në këto zgjedhje, që pritet të përqëndrohen tek reagimet ndaj ekonomisë, kandidatët janë duke ofruar plane mjaft të ndryshme për të nxitur rritjen dhe për të krijuar vende pune. Presidenti dëshiron të lejojë që taksat të rriten për njerëzit me të ardhurat më të larta, duke zhvilluar më tej infrastrukturën dhe duke rritur shpenzimet në arsim. Ish-këshilltari ekonomik i zotit Obama Austan Goolsbee foli në programin televiziv E Diela e Fox News.
"Nuk besoj se kthimi i vlerave të tatimit mbi të ardhurat në nivelet e viteve 1990 do të ketë ndonjë ndikim negativ, të rëndësishëm për ekonominë. Dhe të ardhurat mund të përdoren për gjëra që janë të rëndësishme, si ulja e taksave për bizneset që punësojnë njerëz."
Në kundërshtim me këtë strategji, zoti Romney dëshiron ulje të mëtejshme të taksave federale mbi të ardhurat për të gjithë, duke rritur shpenzimet ushtarake. Këshilltari ekonomik i kandidatit Romney, Glenn Hubbard, gjithashtu u shfaq në televizionin Fox News.
"Ne kemi një rritje shumë anemike të ekonomisë amerikane. Mund të arrijmë më shumë me politika shumë më të mira. Zoti Romney propozon reformë të taksave, reformë rregullatore, një strategji e mençur e buxhetit, dhe e tregtisë. Presidenti ka propozuar rritje të taksave."
Gjatë fushatës së tij, Presidenti Obama e përmblodhi qasjen republikane në këtë mënyrë:
"Ulje taksash, shkurtime taksash, kthim prapa i rregullave dhe më pas shkurtime të tjera taksash. Ulje të taksave kur kohët janë të mira. Ulje taksash kur kohët janë të këqija. Shkurtime të taksave për të humbur peshë. Ulje taksash për të përmirësuar jetën në dashuri."
Zoti Mitt Romney është duke përqëndruar vëmendjen tek të dhënat ekonomike të presidentit Obama dhe tek niveli i lartë i papunësisë.
"Presidenti premtoi se në qoftë se do ta lejonim të merrte hua pothuajse një trilion dollarë [për shpenzimet mbi nxitjen e ekonomisë], ai kurrë nuk do të lejonte që papunësia të arrinte nivelin tetë për qind. Ajo ka qenë mbi tetë për qind qysh atëherë. Ai nuk ka një plan. Dhe ne duhet të sigurohemi që, pas janarit, ai të mos kalojë më kohë në Shtëpinë e Bardhë."
Sondazhet e opinionit publik e tregojnë vazhdimisht ekonominë si shqetësimin kryesor të votuesve. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve nuk besojnë se Presidenti Obama ka krijuar problemet aktuale ekonomike të SHBA-së, por ata mendojnë se nuk është bërë sa duhet për t’i korrigjuar ato, gjatë administratës së tij.
VOA
Add new comment