SHANSI I VERIUT

Postuar në 11 Janar, 2013 04:02

 

Takimi i radhës mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit do të jetë ndër ballafaqimet më të rëndësishme në procesin e bisedimeve. Secili duhet të jetë realist se riintegrimi i pjesës veriore nuk mund të bëhet pa dialog. Ne do ta paraqesim agjendën tonë socio-ekonomike për atë pjesë të territorit. Kur të bëhen 100 njohje, do t’i vendosim në web faqe. Ende nuk kemi nota verbale prej Nigerisë dhe Ugandës. Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, flet për Express.

Express: A jeni në dijeni për temat që BE do t’i hedhë në tryezën e takimit të radhës Thaçi - Dacic?

E. Hoxhaj: Mendoj se takimi i radhës, që mbahet më 17 janar, do të jetë ndër takimet më të rëndësishme në dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Temë bosht e këtij takimi do të jetë shpërbërja e strukturave ilegale të sigurisë në Veri të Kosovës dhe nga ky takim do të fillojë të krijohet një realitet i ri në pjesën Veriore të Kosovës. Qëllimi jonë në këtë dialog është të mos ketë vetëm takime e marrëveshje të arritura, por mbi të gjitha të ketë implementim të marrëveshjeve të arritura deri më tash. Në të gjitha takimet, Kryeministri Thaçi ka insistuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura si dhe të lëvizim me një agjendë të shkurtë përpara. Rasti më i mirë është zbatimi i IBM’it, që është një sukses i madh sa i takon Kosovës.

Express: A po përmbysen, të gjitha deklaratat që janë thënë deri më tash, se nuk do të ketë dialog për pjesët e brendshme të Kosovës dhe as për Veriun. Tash Veriu i Kosovës po del të jetë kryesor në takimin e radhës?

E. Hoxhaj: Ne do të jemi realist. Çdokush që e dëshiron riintegrimin e tri komuna e gjysmë në Veri të Kosovës, duke përfshirë edhe komunën e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës - kjo gjë nuk mund të ndodhë dhe nuk ka mundur të ndodhë deri më tani për shkak të pranisë së strukturave ilegale të sigurisë, të policisë dhe të formacioneve tjera paramilitare të pranishme në këtë pjesë të Kosovës. Serbia i ka udhëhequr dhe financuar, i ka kontrolluar këto struktura për 13 vitet e fundit. Prandaj, edhe në krahasim me pjesët tjera, me Kosovën e tërë ku ne kemi mbërritur për 13 vite që ta integrojmë komunitetin serb në pushtetin lokal dhe në pushtetin qendror, situata që është krijuar në Veri është një situatë tjetër. Në këtë drejtim ne jemi shumë të përkushtuar që ta riintegrojmë këtë pjesë të Kosovës me jetën institucionale të Kosovës, por jo vetëm të ketë integrim të popullatës serbe në institucionet e Kosovës, por të ketë edhe riintegrim ekonomik dhe social të tyre. Prandaj, ne do të dalim me një agjendë të zhvillimit socio ekonomik të Veriut të Kosovës.

Express: A është kjo agjendë e njëjtë me planin që ka kërkuar BE për Veriun?

E. Hoxhaj: Plani i Kosovës për riintegrimin për tri komuna e gjysmë në Veri të Kosovës është Pakoja e Ahtisaarit. Pakoja i parasheh të gjitha kompetencat, të gjitha të drejtat që mund t’i kenë komunat në Veri të Kosovës. I parasheh të gjitha privilegjet që i ka komuniteti serb në Veri të Kosovës. Dhe Kushtetuta e Kosovës nuk është asgjë tjetër veç se një inkorporim i Pakos së Ahtisaarit. Prandaj, kur ne themi që Kushtetuta e Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit, ligjet e Kosovës në fuqi janë ato të cilat paraqesin një bazë edhe legale, edhe politike, edhe përmbajtjesore se si mund integrohet kjo pjesë e Kosovës në Kosovën e tërë. Kjo duhet të merret si e tillë pasi më e fuqishme është një kushtetutë sesa një dokument, i cili do të reflektonte një qëndrim afatshkurtër.

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.