Rusi, qindra mijë njerëz protestojnë kundër qeverisë

Opozita në Rusi zhvillon marshimin 1 milionësh, tre muaj pas protestës së fundit në të cilën policia arrestoi dhjetëra aktivistë nën pretekstin e tubimit të paligjshëm. Këtë radhë, liderët e opozitës kanë marrë leje për të grumbulluar në sheshin qendror të Moskës 25 mijë vetë, por numri i pjesëmarrësve mendohet të shkojë në 50 mijë. Kërkesat politike dhe sociale kanë të bëjnë me fundin e represionit ndaj kundërshtarëve dhe lirinë e fjalës.
Gjithashtu, protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale dhe më shumë mbështetje qeveritare për grupet me të ardhura të vogla. Marshi zhvillohet nën forca të rrepta të sigurisë. Rreth 7 mijë policë janë vendosur në qendër të qytetit dhe përgjatë rrugëve, ku pritet të kalojnë protestuesit. Një nga drejtuesit e opozitës, Sergei Udalstsov tha se qëllimi kryesor i marshimit është detyrimi i autoriteteve për të nisur dialogun.
"Kanë kaluar tre muaj dhe asnjë kërkesë nuk është plotësuar. Asnjë i burgosur politik nuk është liruar, përkundrazi më shumë njerëz janë arrestuar",-tha ai. Marshime janë planifikuar edhe në qytete të tjera të Rusisë. Protestat e opozitës e kanë humbur forcën e tyre që nga rikthimi i presidentit Vladimir Putin në krye të Kremlinit, por sondazhet më të fundit sugjerojnë se ai është duke humbur popullaritetin.
Protesta vjen një ditë pasi lideri me më shumë ndikim i opozitës ruse, Genadi Gudkov u përjashtua nga parlamenti rus. Aktivistët e opozitës thonë se ky veprim, përjashtimi i parë i një ligjvënësi nga Duma që prej vitit 1995, do të radikalizojë protestat anti-Putin.
Albanian Screen
Add new comment