'Rruga e Kombit', Cani padit ish ministrin Bode, dëmi 60 mln €.

Ministria e Financave kallëzon penalisht në Prokurori të Përgjithshme ish-ministrin e Financave Ridvan Bode dhe ish-zëvendësin e tij Sherefedin Shehu, pasi sipas këtij institucioni, kanë abuzuar me fondet publike gjatë marrjes së dy kredive për ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Dy ish-drejtuesit e Ministrisë së Financave akuzohen se kanë kryer dy vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë” në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Lajmi konfirmohet për A1Report nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se kallëzimi është regjistruar pak ditë më parë.
Sipas të njëjtave burime, akuza është bazuar në shkeljet e gjetura nga auditi i Ministrisë së Financave në procedurat e ndjekura për marrjen e kredisë në vlerën e 230 milion eurove për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
Shkeljet sipas auditit kanë qenë në mënyrën se si është marrë kredia, ku në një procedurë prokurimi të drejtpërdrejtë me firmën e Bodes dhe Shehut kjo shumë parash është marrë në dy banka të nivelit të dytë duke përjashtuar nga gara bankat e tjera, të cilat mund të ofronin kredi me kushte më të favorshme.
Sipas kallëzimit në fjalë dëmi ekonomik përllogaritet në vlerën e 60 milion eurove, teksa interesi i kredisë së marrë në bankat e nivelit të dytë arrin në 13 %, nga më të lartat për kohën kur është marrë kredia.
Aktualisht kallëzimi është në fazën e verifikimit dhe ende akuza e kryeqytetit nuk ka vendosur për hetime të mëtejshme, çka do të kërkonin dhe “OK” e Prokurorisë së Përgjithshme pasi ish-drejtuesit e financave janë dhe deputetet.
Add new comment