Reuters: Duhet një ristrukturim i ri i borxhit të Greqisë

Postuar në 25 Korrik, 2012 04:05

Ndërkohë që specialistët e Trojkës ndodhen tashmë në Greqi për vlerësimin e situatës ekonomike dhe financiare, paralajmërim tepër negativ vjen nga një publikim i agjencisë Reuters, i cili iu referohet tre zyrtarëve të BE. 

“Greqia nuk do të jetë në gjendje të paguajë detyrimet dhe ka të ngjarë të jetë i nevojshëm një ristrukturim i mëtejshëm i borxhit”, shkruan Reuters, duke sqaruar se kjo kosto do të duhet të bjerë mbi Bankën Qendrore Evropiane dhe qeveritë e vendeve të eurozonës. 

Agjencia shton se mes shteteve anëtare dhe nga BQE nuk ka gatishmëri për të ndërmarrë veprime të tilla dramatike në këtë fazë. "Greqia është jashtëzakonisht jashtë piste", tha një nga zyrtarët për Reuters. Një tjetër vuri në dukje se barra e borxhit grek në raport me PBB, vetëm po rritet. "Asgjë nuk është bërë në Greqi për 3-4 muajt e fundit duke rritur kështu recesionin dhe peshën e borxhit", tha zyrtari. 

Sipas kushteve të marrëveshjes së dytë të kredisë, në muajin shkurt, Greqia u angazhua për ulje të mëtejshme të shpenzimeve dhe rritjen e taksave, në këmbim të reduktimit prej 100 miliardë euro nga borxhet e saj. Ristrukturimi u bë me qëllim uljen e raportit të borxhit, nga 160% e PBB, nën 120% deri në vitin 2020, një nivel që FMN-ja e konsideroi të qëndrueshëm e afatgjatë. Por Greqia është dukshëm shumë larg arritjes së këtij qëllimi, thanë zyrtarët. 

Në këtë situatë kritike për Greqinë, mbërrin nesër në Athinë presidenti i KE Hoze Manuel Barroso, që sipas mediave greke, me vizitën e tij kërkon të përcjellë mesazhin se Greqia duhet të jetë në euro dhe se Komisioni Evropian do të marrë hapat e nevojshme për të siguruar këtë. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.