Raporti konfidencial: Abuzimet që kapëm në dhomën e serverit

Postuar në 26 Janar, 2014 04:24

Partia Demokratike ka kërkuar edhe dje që Prokurori e Përgjithshme të reagojë në lidhje me “skandalin” e serverit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve duke thënë se kemi të bëjmë me një megaskandal nga dyshja Rama-Meta. Gazeta “DITA” u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Prokurorisë që ka nisur hetim për këtë çështje duke sjellë për lexuesit ngjarjen ashtu si ka ndodhur dhe për të zbardhur arsyet pse është ngritur gjithë kjo fortunë mediatike.

Audit për serverin nga Ministria

Në datën 12 nëntor të vitit të kaluar Ministri i Financave, Shkëlqim Cani nxjerr një urdhër i cili kërkon ngritjen e një grupi auditi për të shkuar te drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të monitorojnë serverin qëndror të kësaj drejtorie duke konkluduar me një raport përfundimtar. Në datën 15 nëntor, tre ditë më vonë nga dalja e urdhërit një grup prej pesë auditësh, në përbërje të të cilit janë: Panajot Gjiknuri, përfaqësues dhe drejtor i IT-së në Ministrinë e Financave, Ermal Beqiri, Olsi Karapici, Thanas Iraldi dhe Florian Vranezi. Pasi kanë shkuar te DPT kanë nisur verifikimin e serverit dhe që ditën e parë kanë hasur në shkelje të mëdha duke filluar nga porta hyrëse e cila ishte e pasigurt dhe mund të aksesohej nga kushdo. Në takimin e parë kanë qenë të shoqëruar nga drejtori i IT-së në tatime Renald Rista dhe drejtoresha e përgjithshme, Brisida Shehaj. Nisja e këtij auditi nga MF erdhi pasi kishte indicie se administrata në tatime që ishte përgjegjëse për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e serverit nuk po funksiononte në mënyrë korrekte dhe duhej pasur situata nën kontroll për shkak edhe të ndryshimit të qeverisë dhe balancave politike. Auditi zgjati nga data 15 nëntor deri në 27 dhjetor të vitit të shkuar. Gjatë këtij procesi, auditi pikas një fshirje të të dhënave dhe për këtë nga drejtoresha u bë kallëzim për drejtorin e IT-së. Të dhënat u arritën të rikthehen nga specialistët dhe kontrolli i auditit vazhdoi punën deri në bërjen e një raporti përfundimtar paraprak. Punonjës të IT-së në tatime të cilët disponojnë këtë raport na treguan disa nga shkeljet që janë hasur nga grupi i auditit. Përveç portës hyrëse e cila ishte jashtë kushteve të sigurisë, gjithashtu serveri ishte kollaj i aksesueshëm me qëllim dëmtimin e tij, ndërsa ishin jashtë funksionit dy sisteme që janë të miratuara me ligj. Sistemi “DEPA” dhe sitemi “Audit Vault” të cilët prej kohësh nuk përdoreshin. Në bazë të ligjit serveri duhet të jetë i lidhur online edhe me një qendër tjetër për të kaluar automatikisht të dhënat dhe çfarëdo që ndodh te serveri qëndror të dhënat ruhen gjetiu. Update i serverit ose përditësimi i të dhënave sipas ligjit duhej të bëhej një herë në 24 orë, ndërsa realisht bëhej në një interval më të gjatë, sipas dëshirës së IT-ve që herë e bënin çdo 24 orë dhe një herë në javë apo në dy javë. Të dhënat e auditit të tatimeve dhe zhurma që bën opozita duket se s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. PD në disa konferenca thotë se atje kanë shkuar dy persona dhe deputeti Braho dhe kanë marrë të dhënat e serverit. Në fakt atje kanë qenë pesë persona dhe të gjithë audit nga ministria dhe deputeti Braho që është kryetar i Komisioni i Sigurisë. Të ndodhur në një situatë ku janë dy palë që lëshojnë akuza na lind një pyetje që në fakt do të marrë përgjigje nga hetimi i prokurorisë. Kush është i interesuar për të fshirë materiale nga serveri i tatimeve dhe pse qeveria e re duhej të bënte zhurmë për të marrë materialet nëse do donte t’i merrte kur duke pasur gjithë instrumentet mund ta bënte në heshtje të plotë?! Hetimi do të zbulojë të vërtetën por zhurma mediatike sidomos e disa mediave që siç tha Rama “janë të mbytura në borxhe dhe me fatura të papaguara”, na tregon se kemi të bëjmë me një furtunë në gotë ujë e cila do të kalojë sapo opozita të gjej një kauzë tjetër.

Shënim: Afera e serverit të Tatimeve

Afera e serverit qendror të Tatimeve është një shashkë e hedhur për të mbuluar gjurmët e mashtrimeve të përbindshme me pagesat krejtësisht të pajustifikuara që u janë bërë kompanive, gjoja në emër të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Disa nga këto mashtrime kanë dalë në dritë të diellit, me dhjetëra të tjera janë nën hetim. Asnjë syresh nuk është zbuluar nga auditët e brendshëm të Ministrisë së Financave. Që nga vitet 2010-2011, kur u themeluan, ata vegjetonin nën një pseudopunë e pseudo-kontroll. Të dhënat e drejtpërdrejta janë siguruar nga serveri, ende pa u keqtrajtuar ai nga vetë administratorët, përpara bllokimit përfundimtar. Nën një dirigjim mafioz dhe të llogaritur mirë, sidomos dy vitet e fundit të qeverisë së mëparshme, është punuar për të nxjerrë para nga gjobat që u viheshin bizneseve. Këto gjoba u hiqeshin nga kujtesa elektronike (baza e të dhënave), në këmbim të një pagese të majme, zakonisht një të tretën apo gjysmën e gjobës. Njëlloj sikurse bëhej disa vite më parë me gjobat e drejtuesve të automjeteve. Kërdia me deformimin e bazës së të dhënave tatimore ka vazhduar gjatë. Këtu duhet çuar hetimi deri në fund. Kush ka ndërhyrë, pse, sa është sasia e ulur e parasë së gjobave. Cilat gjoba janë fshirë tërësisht? Grupi hetimor i prokurorisë, në rast se do të dojë të bëjë punë të pastër, mund të zbulojë afera të jashtëzakonshme, abuzime dhe mashtrime me dëm në Buxhetin e Shtetit, në nivel disa dhjetra miliona euro. Problemet me serverin e tatimeve nuk nisën nga kopjimi nxitimthi i të dhënave dy muaj më parë, nga këshilltarë të ministrit aktual të Financave, me qëllim moslejimin e humbjes së tyre. Problemi qendror i serverit është se ai është i manipuluar dhe ndërhyrjet në të duhet të gjurmohen e zbardhen, edhe në rast se do të jetë nevoja e marrjes së ekspertizës së specializuar nga jashtë. Shteti ynë, qeveria e re e ka të gjithë nevojën për të bërë transparencë të plotë me abuzimet e qeverisë së shkuar në tatime. Të identifikoje cilët ishin emisarët e bojarëve të pushtetit të djeshëm, të veshur me petkun e drejtorit apo specialistit të teknologjisë së informacionit, që kryenin ndërhyrjet, në dukje të pagjurmueshme, për të ndarë me bizneset tortën e abuzimeve. Në rast se zbulimet e deritashme apo ato të reja nga hetimi, nuk do të bëhen publike, por do të përdoren nga shumica e re për të shantazhuar opozitën e sotme, atëherë nuk do të kishte ndryshuar asgjë. E gjithë ngrehina e re e pushtetit ka për detyrë madhore t’i sqarojë shqiptarët çfarë ka ndodhur me regjistrimet elektronike të deklaratave tatimore të bizneseve, kush, si dhe sa ka ndërhyrë, në dobi të xhepit të tij personal, të dikujt tjetër më lart që e mbronte, dhe të vetë bizneseve, për rimbursimet false të TVSH-së, apo fshirjet dhe pakësimet e gjobave.

Kanë thënë për serverin

Edi Rama

“Kujtojnë se duke u bërë bashkë me një prokuror, që e kanë vënë me dorë, aty tek ajo task-forca e prokurorisë për të mbyllur çështjet e tyre, me një pronar mediash që u fshihet bankave se është i zhytur dhe po mbytet në borxhe, me ca faqe FB dhe ca shfaqje SHQUP-i, do ia dalin u duket, para shqiptarëve, si luftëtare dinjitozë kundër një qeverie, që sipas tyre, po ju merr frymën shqiptarëve.”

Sali Berisha

“Të manipulohen gjobat, të shumëfishoheshin gjobat për kundërshtarët politikë dhe të bëhen objekt pazaresh midis bizneseve dhe klanit Rama- Meta. Rama, tani i kapur në qark, kërcënon mediat që dhanë videon dhe ka marrë për avokat Spartak Brahon, kurse Damiani u thotë mediave se Panajoti ka qenë jashtë shtetit në kohën e kontrollit të sistemit”.

Spartak Braho

Pasi u mor indicie për një komplot financiar nga Berisha kryeministri urdhëroi të hetohet çështja e serverit të Tatimeve. U gjetën ekspertët dhe filluan punë. Nga verifikimet e para që bënë ekspertët, rezultoi se situata ishte mjaft alarmante, ishin fshirë 4.3 milionë deklarime por që u rikuperuan nga ekspertët”.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.