Rama: Mbetemi të interesuar për investimet e huaja

Në një takim me investitorët e huaj, shefi i qeverisë tha se vendosja e sistemit të taksimit të ndershëm i vjen në ndihmë sipërmarrjes, inkurajon investimet dhe nuk përbën barrë për biznesin e madh.
“Sistemi i ndershëm i taksimit nuk përbën më një barrë te biznesi i madh për përfaqëson inkurajim dhe qëndrueshmëri. Një taksë reale mbi të ardhurat rreth 22 % ishte një reflektim i asaj qeverisje që thotë një gjë dhe bënte një gjë tjetër, ne i shpallim qëllimet tona dhe i bëjmë të qarta politikat tona. Sa i përket sistemit të taksimit ne po punojmë për të arritur një marrëveshje të veçantë fiskale me qëllim që t’i krijojmë bizneseve kushte të përshtatshme”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se qeveria që ai drejton është e interesuar në tërheqjen e sa më shumë investimeve të huaja, për të cilën shtoi ai, nevojitet krijimi i një klime të përshtatshme.
“Qeveria shqiptare është e interesuar në tërheqjen e sa më shumë investimeve të huaja, por për këtë nevojitet krijimi i një klime të përshtatshme”.
Duke u ndalur tek Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe mundësive që krijon ky këshill si urë lidhëse me biznesin, kreu i qeverisë tha se do të pasohet me krijimit të Këshillit të Investimeve, në mënyrë që të rritet edhe dialogu qeveri-investitorë.
“Ne ngritëm ashtu si kishim premtuar Këshillin Ekonomik Kombëtar. Për të diskutuar me aktorët kryesore ekonomikë, çështjet që ata i shqetësojnë dhe propozimet. Ky këshill do të jetë një instrument në dispozicionin tuaj jo vetëm që të sillet mendimi dhe propozimet e përfaqësuesve tuaj, por për të sjellë përmes kësaj ure lidhëse shqetësimet tuaja specifike të veçanta në lidhje me administratën, apo procedurat, në raste kur keni pakënaqësi. Ky sistem do të ndiqet nga krijimi i Këshillit të Investimeve me qëllim që të rritet dialogu ynë me investitorët në mënyrë që të garantohet edhe vazhdimësia e projekteve. Mund të ketë ankesa për procedurat që i kërkojnë atyre shumë kohë, kundër korrupsionit apo monopoleve”, vijoi kreu i qeverisë.
Shekulli
Add new comment