PS reagon pas akuzave të PD: Opozita, në rrënim të vazhdueshëm postelektoral.

Partia Socialiste i është përgjigjur akuzave të opozitës gjatë ditës së sotme në lidhje me emërimet në polici.
Pas deklaratës së zëdhënëses së PD Laura Vorpsi, zyra e shtypit e PS përmes një njoftimi zyrtar e ka cilësuar sulmin e sotëm si një rrënim të vazhdueshëm postelektoral në të cilën po ec fatkeqësit PD pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Sulmi i sotëm i liderit të vjetër në Facebook dhe zëdhënëses së re në ekran, flasin më shumë se çdo koment për dëshpërimin e partisë më të madhe në opozitë. Sharje, shpifje, trillime dhe përgojime personash krejt të pafajshëm që akuzohen si kriminelë vetëm pse i shërbejnë shtetit nën uniformën blu, janë vazhdë e trishtueshme e rrënimit që ka përfshirë PD.
Ne e inkurajojmë qeverinë të largojë nga shërbimi publik çdo individ të kompromentuar me drejtësinë, siç bëri me të drejtë në 3 raste gjatë kësaj periudhe, por i bëjmë thirrje PD të zgjohet nga makthi i disfatës elektorale. Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë që e sfidon qeverinë me alternativa e me argumente dhe jo një fabrikë shpifjesh e trillimesh që me opozitën e lidh vetëm emri”, përfundon deklarata e Partisë Socialiste.
Add new comment