Prokuroria pushon hetimet ndaj kreut të ILDKP, Xhuka: Nuk ka vepër penale

Prokuroria e kryeqytetit ka vendosur të pushojë hetimet ndaj Zana Xhukës, kryeinspektores së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive (ILDKP). Vendimi vjen 4 ditë pasi Komisioni i Ligjeve miratoi me 16 votat e mazhorancës raportin për shkarkimin e Zana Xhukës nga posti i kryeinspektores së ILDKP-së. Vendimi i pushimit të hetimeve, është marrë mesditën e djeshme nga Prokuroria e Tiranës, me një njoftim të shkurtër të firmosur nga kreu i saj, Petrit Fusha. Sipas burimeve nga institucioni i akuzës, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në veprimet e Xhukës nuk janë gjetur elementë të veprës penale. “Organi i akuzës, pas shqyrtimit paraprak të provave, ka vendosur mosfillimin e hetimeve lidhur me akuzat ndaj Kryetares së ILDKP-së, pasi nuk janë gjetur elemente të veprës penale”, thuhet në shkresën protokollare.
Në materialin prej 6 faqesh të Prokurores, Daniela Sulaj, është argumentuar se përse nuk mund të fillonin hetimet për kreun e ILDKP-së. Për akuzën e largimit nga puna të punonjësve të saj thuhet se janë bërë në kuadër të ristrukturimit të institucionit dhe lëvizja e punonjësve për këto arsye është e mbështetur në ligj. Ankesat për largim nga puna shqyrtohen nga Shërbimi i Kontrollit Civil dhe më pas nga gjykata dhe këto largime nuk kanë karakter të juridiksionit penal. Për kallëzimin tjetër të bërë nga punonjësit e saj mbi funksionimin dhe organizimin e ILDKP-së, prokuroria është shprehur se edhe kjo padi nuk përbën vepër penale dhe është jashtë çdo kompetence të saj.
Në Prokurorinë e Tiranës ka pasur edhe një tjetër kallëzim. I pari ishte nga disa punonjës të ILDKP-së që denonconin shkeljet e kryera nga Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Zana Xhuka, duke u bërë presione, fshehur materiale e dokumente dhe mosushtrimit të detyrës prej më shumë se një viti, ndërsa nuk ushtronte kontrolle ndaj zyrtarëve të lartë.
Denoncimi kishte të bënte edhe me emërimet klienteliste sipas grupit të punonjësve, që kryheshin nga kryetarja Xhuka. Ndërsa kallëzimi i dytë, ishte ai i bërë nga vetë Zana Xhuka, për punonjësit që e kallëzonin dhe publikuan deklaratën kundër saj. Konkretisht Xhuka akuzoi vartësin, Shkëlqim Ganaj, se ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike e verbale dhe për këtë arsye i ka kërkuar Policisë së Tiranës mbrojtje të veçantë të personit të saj dhe familjes. Xhuka u thirr pak javë më parë edhe në Prokurorinë e Tiranës, ku dha shpjegime për këto akuza që ishin ngritur. Xhuka është zgjedhur kryetare e ILDKP-së, në 21 janar 2013, nga Kuvendi, me 70 vota pro dhe 67 kundër, duke marrë vendin e lënë vakant nga Adriatik Llalla, i cili u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm.
Dita
Add new comment