Presidenti Topi dekreton Kodin Rrugor, dyfishohen gjobat

Postuar në 21 Dhjetor, 2011 03:50

Presidenti i Republikës Bamir Topi dekretoi ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. 

Ndryshimet në Kodin Rrugor u miratuan pak javë më parë në Kuvend me konsensus mes palëve. Ky ligj kërkonte 3/5 e votave për t’u miratuar.
Ligji që pritet të hyjë në fuqi 2 javë pas publikimit në Fletoren Zyrtare parashikon dyfishimin e gjobave dhe masave për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

GJOBAT E REJA
Sipas ndryshimeve në Kodin Rrugor drejtuesi i mjetit që kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Më parë kjo gjobë ka qenë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. 
Në të njëjtën kohë, shoferi që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë ndëshkohet me masë administrative gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. “Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejes së drejtimit nga një deri në tre muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron lejen e drejtimit prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejes së drejtimit bëhet për tre deri në gjashtë muaj”, thuhet në ndryshimet e nenit 140 të Kodit Rugor.

Ndryshimet prekin edhe masën e gjobave në rastet kur nuk zbatohen sinjalet që jepen nga Policia Rrugore. Të gjithë përdoruesit e rrugës që nuk do t’i respektojnë këto sinjale, do të gjobiten me një gjobë që shkon nga një mijë deri në katër mijë lekë. Ndërsa më parë këto gjoba kanë qenë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. 
Në nenin 146 të Kodit parashikohet mbajtja e largësisë së sigurisë nga mjeti që ndodhet përpara. Në këtë rast, nëse kjo largësi nuk mbahet, gjoba është nga një mijë deri në katër mijë lekë. Kodi përcakton gjithashtu një masë administrative që shkon nga një mijë deri në katër mijë lekë për rastet kur drejtuesit e automjeteve nuk zbatojnë rregullat sa i përket ndryshimit të drejtimit ose të korsisë, ndalimit të qëndrimit dhe pushimit të mjeteve, si dhe sinjalizimit të mjetit të ndaluar. 

Ndërkohë në nenin për vendosjen e rripit të sigurimit thuhet se “cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. 
Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jo madhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit, ose, kur ndodhet në momentin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije”. 
Sipas kodit, “Për cilindo që, në kushtet e treguara në pikën 1 (mënyra e veprimit në rast aksidenti), nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë dhe me pezullimin e lejes së drejtimit nga 6 deri në 12 muaj”.

Sipas këtyre ndryshimeve, çdo qytetar që do të marrë një leje drejtimi automjeti për çdo klasë, do të ketë si kredit 20 pikë dhe për çdo shkelje (kjo varet nga lloji) do të ketë një kufizim pikësh apo heqje të tyre deri humbjen totale të tyre, çka mund të ndodhë në përsëritjen e shkeljeve të vazhdueshme. 
Në rastin e humbjes së plotë të pikëve, një drejtues automjeti do duhet të aplikojë sërish nga e para për të marrë një patentë. Ndërsa, në rast se pas një shkeljeje një drejtues rezulton se nuk ka kryer shkelje të tjera për dy vite rresht, ai rimerr të gjitha pikët e mundshme, pra 20. Megjithatë ky është një sistem, që për shkak të teknologjisë që kërkon, do bëhet i mundur të zbatohet vetëm pas 18-muajsh.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.