Policia: Kufoma e gjetur në Lushnje, pa gjymtyrë dhe pa kokë.

Postuar në 02 Prill, 2014 03:25

Mosinteresimi i askujt për kufomën e gjetur rreth një javë më parë në autostradën Lushnjë-Fier dhe për skeletin e zbuluar tri javë më parë në afërsi të rrugës automobilistike në Qafën e Koshovicës në periferi të qytetit të Fierit, ka detyruar ekspertët e Mjekësisë Ligjore që t’u bëjë apel publikisht familjarëve që kanë njerëz të humbur, të shkojnë në morg për të bërë identifikimin.

Ndërkohë, ekspertimi i mjekoligjorëve ka konstatuar në faktin se të paktën personi, kufoma e të cilit u gjet në një kanal në anë të autostradës Lushnjë-Fier, është vrarë, pasi i mungon koka dhe dy gjymtyrë.

Sipas ekspertëve, dyshohet se viktima që i përket seksit mashkull është goditur nga ndonjë automjet e më pas është hedhur në kanalin ku u gjet.

Kufoma

Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, kufoma që u gjet në autostradën Lushnjë–Fier më datë 28 mars, rezulton të jetë pa kokë e gjymtyrë. Mësohet se kufomës i mungon këmba e majtë dhe një dorë. Ekspertët kanë pohuar për mediat se mungesa e kokës e ka bërë të vështirë identifikimin dhe për këtë arsye kërkojnë ndihmën e familjarëve që rezulton t’u jetë zhdukur ndonjë person i seksit mashkull gjatë muajve të fundit.

Ndërkohë, ekspertët mjekoligjorë kanë dhënë edhe detaje të karakteristikave fizike dhe të moshës së viktimës. Ata janë shprehur se viktima i përket seksit mashkull dhe është rreth 30 vjeç. Ndërkohë që është rreth 1.75 metër i lartë. Viktima ka pasur të veshur disa bluza me mëngë të shkurtra, dy xhupa dhe tre palë pantallona. Ndërkohë në xhepa i janë gjetur një qese me duhan, një lugë, një prerëse thonjsh dhe një stilolaps.

Nga akt-ekspertimi rezulton se personi të cilit i përket kufoma ka ndërruar jetë të paktën dy muaj më parë. Sipas policisë, dyshohet se ai është viktimë e ndonjë aksidenti të ndodhur në fund të muajit dhjetor. Kjo, pasi në pantallonat e tij janë gjetur edhe gjurmë të gomave të mjetit që e ka shtypur teksa ka qenë duke ecur në autostradë. Mendohet se drejtuesi i mjetit që e ka aksidentuar e ka hedhur më pas në kanal të vrarin, me qëllim që të humbiste gjurmët e krimit. Për të paktën dy muaj, kufoma e 30-vjeçarit ende të paidentifikuar ka qenë objekt i sulmit të qenve të rrugës, të cilët mendohet se i kanë shkëputur kokën dhe gjymtyrët që kanë qenë të dëmtuara edhe prej aksidentit. Gjithashtu, dekompozimi ka qenë në një stad të avancuar. Ekspertët e morgut të Lushnjës kanë pohuar se kufoma është dërguar në morgun e Tiranës për të kryer analizën e ADN-së. Ata kanë bërë apel për paraqitjen e gjithë familjarëve, të cilët kanë njerëz të humbur, me qëllim mundësimin e identifikimit të kufomës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.