PD: Rama-Meta nuk heqin dorë nga kapja e AMA për interesa klienteliste.

Deputeti i PD, Boçi, denoncon manovrat e mazhorancës në shkelje të ligjit dhe rregullores së Kuvendit. Deputetët e PD, kallëzim penal për përgjegjësit e falsifikimit të memos
Deklarata e Luciano Bocit:
Pavarësisht nga pretendimet e dyshes Rama-Meta në tre javët e fundit mbi gjoja pezullimin e hyxhymit të tyre për të zaptuar institucionet e pavarura, faktet dëshmojnë qe kjo eshte demagogji. Lidhur me AMA-n, Kryeministri Rama urdhëroi tërheqjen e amendamentit Peza 2, por kete vetëm pasi partneri Meta kishte urdhëruar Shërbimin e Monitorimit që, në kundërshtim me ligjin, me faktet e me veten, të shpallte të shkarkuar kryetaren e AMA-s. Ndërkohë kryetari i Kuvendit Meta fsheh letrën e OSBE ku i kërkohet që të tërhiqet nga zaptimi i AMA-s dhe te procedohet me konsensus. Po kështu eshtë shprehur zyrtarisht edhe Komisioni Europian.
Javën e shkuar në thyerje te Rregullores së Kuvendit dhe në kushtet e shpërdorimit të detyrës, një memo e falsifikuar e Shërbimit të Monitorimit u tentua të futej për vendimmarrje në axhendën e Komisionit të Edukimit e Medias nën presionin e përfaqësuesve të mazhorancës.
Shqiptarët duhet ta dinë se pas këtij insistimi të pashembullt të Rama-Meta-s për kapjen e AMA qëndrojnë edhe interesa të pastra financiare dhe klienteliste pas vendimeve të fundit të AMA-s; këto vendime në shërbim të teleshikuesve në mbarë Shqipërinë do të sjellin uljen e ndjeshme të çmimit të kartës dixhitale si dhe shikimin falas te televizioneve kombëtare.
Deputetët e PD do të bëjnë kallëzim penal për përgjegjësit e këtij falsifikimi dhe do të kundërshtojnë çdo tentativë Rama-Meta për zaptimin e AMA.
Add new comment