PD: Rama fut në dorë shërbimin inteligjent dhe gradat e ushtrisë, për interesa politike.

Nënkryetari i komisionit të Sigurisë, deputeti i PD-së, Flamur Noka, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka denoncuar nismat antikushtetuese të Kryeministrit, për emërimin e Kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, e cila sipas opozitës, politizojnë ushtrinë dhe zhvesh Presidentin e Republikës nga kompetencat e tij ligjore. “Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Presidentin e Republikës duke i hequr atij një kompetencë kushtetuese. Me projektligjin që ka paraqitur në Kuvend, Edi Rama merr në dorë emërimin e kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Kjo emërtesë lidhet me pozicionin Kushtetues që ka Presidenti si Komandant i Përgjithshëm i FA”, shprehet Noka. Siaps deputetit të PD-së, “duke i marrë Presidentit këtë kompetencë, Edi Rama ia bën të pamundur kreut të shtetit ushtrimin e funksionit si Komandant i Përgjithshëm i FA”. Me këtë skemë të rrezikshme,- tha Noka, - Edi Rama po tenton të kontrollojë personalisht shërbimin inteligjent të ushtrisë, por dhe të rrisë kompetencat e tij duke shkuar drejt një dublimit të Shërbimin Informativ të Shtetit. Për Partin Demokratike, Edi Rama kërkon një shërbim informativ të ushtrisë, që të mos i bindet ligjit dhe Kushtetutës, por t’i bindet atij. “Edi Rama kërkon një shërbim informativ të ushtrisë që të mos denoncojë aferat e rënda kriminale të trafikut të drogës, por kërkon ta ketë si armë politike në duart e tij. Në revanshin për të marrë sa më shumë kompetenca dhe për ta zhveshur Presidentin nga roli i tij kushtetues, Edi Rama ka miratuar dy ditë më parë dhe projektligjin që i mundëson kryeministrit dhënien e gradave”, u shpreh deputeti i PD. Opozita është e mendimit se, kryeministri po e fut ushtrinë në kursin e politizimit të plotë, duke marrë në dorë edhe shpërndarjen e gradave, që tashmë do të jenë partiake. Partia Demokratike i dënon këto iniciativa të rrezikshme dhe antikushtetuese, dhe i kërkon Kryeministrit të tërhiqet sa më parë, të mos cenojë integritetin e ushtrisë shqiptare, tashmë ushtri e NATO-s.
Add new comment