Pasiguri politike në Greqi. Qeveri, apo sërish zgjedhje?

Postuar në 07 Maj, 2012 05:50

Situatë edhe më e pasigurt pas zgjedhjeve në Greqi, ku mbetet hapur edhe mundësia e formimit të qeverisë së koalicionit, po aq sa edhe ajo e përsëritjes së zgjedhjeve. 11 ditë kritike këto që pasojnë, brenda të cilave duhet të mundësohet formimi i një qeverie, pasi 17 Maj ka qenë i caktuar me dekret presidencial, si dita kur duhet të mblidhet parlamenti i ri.

Vota e 6 Majit, votë kundër masave të kursimit

Rezultati i votimit ishte një "shuplakë zemërimi" e grekëve, për bashkëpunimin dy-partiak Demokracia e Re dhe PASOK, por jo vetëm. Ky rezultat flet qartë për refuzim të masave të ashpra të kursimit, por njëherësh vë në dyshim qëndrimin e Greqisë në Euro. Për këtë flet vota për forcat politike që kundërshtojnë me forcë marrëveshjen e huasë dhe masat financiare. Duket se qytetarët e lodhur, zgjodhën të votojnë kundër masave shtrënguese, zgjedhje që nuk shkon paralel me kushtet për qëndrimin e vendit në eurozonë.

Sipas rezultateve të pjesshme zyrtare, partia Demokracia e re kryeson me një përqindje shumë të dobët 18.9%, ndërsa PASOK u zhyt thellë në humbje, duke fituar madje më pak se gjysmën e mbështetjes së vitit 2009, me rezultatin më të ulët historik, 13.2% kur drejtues të lartë si Anna Diamantopulu ose ish kreu i Parlamentit Filipos Petsalnikos, mbeten jashtë tij.

Risia e zgjedhjeve është koalicioni i majtë SYRIZA, një forcë që mbron të drejtat e emigrantëve, dhe që u ngjit në vendin e dytë, me 16.7%.

Mbresëlënëse është edhe prania e Grekëvë të Pavarur, që e la Partinë Komuniste në vendin e pestë. Për herë të parë në Parlament hyjnë ekstremistët neonazistë të Agimit të Artë, me gati 7%, fakt që nuk përbën aspak lajm të mirë për emigrantët, pasi kjo forcë kërkon dëbimin e tyre nga Greqia.

Në mesditë Antonis Samaras shkon te Presidenti

Presidenti i Republikës Karolos Papulias ka ftuar sot në ora 15:00 në Pallatin Presidencial udhëheqësin e partisë së parë në këto zgjedhje, Antonis Samaras, për t'i dhënë mandatin e formimit të qeverisë. Samaras do të ketë në dispozicion tri ditë dhe nëse gjatë kësaj kohe nuk do të ketë sukses, Presidenti i jep mandatin kreut të partisë së dytë e nëse edhe ky dështon, e merr mandatin kreu i partisë së tretë. Në rast se edhe hera e tretë është një dështim, presidenti provon të formojë qeverinë e të gjitha partive parlamentare. Pas një dështimi edhe të kësaj tentative, provokohen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve.

Pavarësisht premtimit të tij, se nuk do ta lërë Greqinë të paqeverisur, duket se Samaras do të marrë sot përsipër një “mision të pamundur”. Deklaratat e liderëve të forcave politike që hyjnë në parlament, e dëshmojnë këtë.

Koalicioni i partive, një "mision i pamundur"

Kreu i Demokracisë së Re Antonis Samaras: Nuk do ta le Greqinë të paqeverisur. Iu bëj thirrje forcave me orientim proevropian se duhet një qeveri e shpëtimit kombëtar me 2 qëllime kryesore; qëndrimi i vendit në Euro dhe ndryshimi i Memorandumit. Ftoj të gjitha forcat që pranojnë rrjedhën europiane të vendit dhe nevojën për të ndryshuar politikën ekonomike në të mirë të popullit. Unë e kuptoj zemërimin e botës, por partia jonë nuk do ta lerë vendin të paqeverisur.

Kreu i SYRIZA, Alexis Tsipras: Rezultati është një mesazh i revolucionit paqësor. Ne hedhim poshtë legjitimitetin e Memorandumit dhe brutalitetin e qeverisë së zonjës Merkel. Merkel ka për të kuptuar humbjen e politikës së kursimit. Qeveria fillojë dialogun për qeveri majtas. Ne zotohemi për të nderuar mandatin popullor për të ndërprerë Memorandumin e falimentimit.

Kreu i PASOK Evangelos Venizelos: Populli grek sot nuk dha një mandat të qartë për ndonjë forcë politike dhe me këto tregues është e vështirë të formohet një qeveri bashkëpunimi me forca pro-evropiane. Një qeveri koalicioni e sistemit dy-partiak nuk do të ketë legjitimitet. Një qeveri e unitetit kombëtar që përfshin të gjitha forcat, që shprehin besimin e tyre në orientimin europian, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj Memorandumit, duhet të studiohet si mundësi dhe ne do të marrim iniciativën në këtë drejtim".

Kreu i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos: Nuk punojmë me tradhtarë dhe kolaboracionistë. Partitë e së kaluarës tani janë një pakicë. Ne nuk marrim urdhra nga Schäuble dhe Fouchter si Samaras dhe Venizelos. Duhet të largohen! 

Kreu i Së Majtës demokratike, Fotis Kouvelis: Nuk bashkëpunojmë me palët pro Memorandumit. Qëllimi ynë është që të ndryshojë zhvillimi i politikave dhe prioritetet sociale. Shqetësim është shpërndarja e drejtë e barrës. 

Kreu i Komunistëve Aleka Papariga: Ne i themi “Jo” çdo bashkëpunimi. Ne vazhdojmë betejën kundër partive pro-evropiane. 

Sekretari i partisë Agimi i Artë, Nikos Mihaloliakos: Junta e memorandumit vazhdon, rezistenca e Agimit të Artë kundër Memorandumit do të vazhdojë për një Greqi të pavarur, të lirë dhe të vetëfuqishme.

Me këto qëndrime, duket se formimi i qeverisë nuk është aspak diçka e lehtë, ndërkohë kur opinioni vendas dhe huadhënësit e Greqisë presin të mësojnë formulën e krijimit të saj, pasi e rëndësishme për të dy palët është, se në ç’masë do të marrin pjesë në të, forcat antimemorandum. Nga kjo varet vazhdimi i reformave që nënkuptojnë masa shtrënguese, por dhe i ndihmës financiare për Greqinë, pasi kreditorët e kanë bërë të qartë se do "ngrijnë" ndihmën, nëse masat ndalojnë së zbatuari. 

Brukseli dhe Berlini, shpresojnë megjithatë për një aleancë të mundshme, që do të vazhdonte me masat shtrënguese dhe reformat strukturore të vendosura nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian që nga viti 2010, por nga sa më sipër, një aleancë e tillë duket utopi. 

Pas numërimit të 98% e qendrave të votimit në vend, përqindjet e fituara nga partitë politike dhe vendet që ato zenë në Parlament, sipas Ministrisë së Brendshme, janë si vijon:

Demokracia e re 18.94% ose 109 vende
SYRIZA 16,74% ose 52 vende
PASOK 13,23% ose 41 vende
Greket e Pavarur 10.58% ose 33 vende
Partia Komuniste 8.46% ose 26 vende
Agimi i Arte 6,97% ose 21 vende
E majta demokratike 6.09% dhe 19 vende. 

Mbeten jashtë parlamentit 
Alarmi Ortodoks Popullor (LAOS) me 2,89%
Ekologët - të Gjelbërit me 2,91%
Aleanca Demokratike me 2,59%

 

 

Anila Jole

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.