Papa lë 'tokën e shqiponjave', Rama: Krenar për këtë ditë të shënuar

Pas 11 orë qëndrimi në Shqipëri, Papa Francesku ka përmbyllur vizitën e tij, duke fluturuar drejt Italisë. Avioni i Atit të Shenjtë la Shqipërinë në orën 19:45. Kryeministri Rama përcolli Papa Franceskun deri tek shkallët e avionit.
Në përfundim të takimeve në Tiranë e në qendrën “Betania” në Fushë-Krujë, Papa Francesku është takuar sërish me kryeministrin Rama në aeroportin e Rinasit, ku edhe bekoi për të dytën herë djalin e tij, Zaho Rama.
Pas përmbylljes së vizitës së Papës, kryeministri Rama nga Aeroporti “Nënë Tereza” u shpreh se Ati i Shenjtë zbuloi një Shqipëri ndryshe. Duke u ndalur tek bashkëjetesa fetare, kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk është një vend mysliman apo i krishterë, por një vend europian.
“Deri në sekondën e fundit ishte në lartësinë e pritshmërisë. Jam shumë krenar për gjithçka kemi arritur të bëjmë të gjithë së bashku. Shumë krenar për atë që bëmë sot duke dëshmuar me praninë dhe angazhimin e tyre atë që është e përditshmja tonë e klerit shqiptar e të gjithë ata që përfaqësojnë fetë të ndryshme. E të gjithë ata që i dhanë këtë pluhur të artë, e në sytë e TV panë këtë Shqipëri e të çuditen.
Sprova e bashkëjetesës e cila ka kaluar përmes terreve dhe të cilave ndodhet e sot përmes tundimeve. Pas ftesës së marrë pas vizitës time në Vatikan.
Ardhja e Papës dhe pritja e tij sot me kaq dëshirë dhe entuziazëm nga të krishterë dhe myslimanë është me të vërtet një mrekulli shumë e rrallë. Ne kemi të vështirë të perceptojmë se çfarë thesari kemi në duar dhe për ta bërë këtë thesar në pah e në sytë e të gjithëve. Ky fakt ka një rëndësi të madhe, se sa thjesht e vetëm për ne, që jetojmë me këtë fakt prej kohësh. Është një fakt imponues për këtë se bota bëhet gjithnjë e me e vogël, ajo që ndodh në ekranet diku lart përmes një barbarie, mund të ndodh kudo dhe poshtë dritares së shtëpisë sonë. Fakti që mes Europës shqiptarët kanë një vend të vogël që duan të bëhen pjesë e BE dhe nuk kanë asnjë ndasi mes besimeve fetare, fati se shqiptarët të krishterë e të myslimanë besojnë se Shqipëria e ka vendin në BE. Shqipëria nuk është një vend mysliman por një vend europian dhe të gjitha besimet. Kjo vizitë e bën Shqipërinë shumë të rëndësishme, në hartën e rrugëtimit të vendeve të lira dhe demokratike”.
Kryeministri Rama falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur vizitën e Papa Franceskut në vendin tonë. Sipas kreut të qeverisë, pas kësaj vizite, Shqipëria shihet ndryshe. Ndërkaq, kryeministri shprehur falënderime edhe për të gjitha institucionet që u angazhuan në realizimin e përgatitjeve për vizitën e Atit të Shenjtë në vendin tonë.
“Dua të falënderoj të gjitha ata që e bënë të mundur këtë ditë. Pasi i kam shprehur falënderimet Atit të Shenjtë. Falënderime të gjithëve sepse të gjithë jemi krenarë për këtë ditë, për ta bërë Shqipërinë të bëhet ndryshme e të lexohet ndryshe. Pas kësaj dite do jetë më e lehtë. Kanë ardhur shumë njerëz të huaj qytetarë të BE, për të kuptuar se pse Papa zgjodhi Shqipërinë. Dua të falënderoj gjithë përfaqësuesin e klerit që kanë punuar për këtë ditë. Dua të falënderoj anëtarët e komitetit të posaçëm shtetëror që kanë bërë një punë të madhe. Dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës, ministren e Kulturës. Policinë e Shtetit, ministrin e Brendshëm si dhe gardën e Republikës e cila ishte në lartësinë e detyrës. Një organizim i tillë do të ishte i pasuksesshëm nëse nuk do kishte gjetur bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës. Shumë miq të huaj kanë ngelur të befasuar nga ky organizim. Dua të falënderoj Ministrinë e Jashtme dhe ministrin për bashkëpunimin me Selinë e Shenjtë. Dua të falënderoj dhe Presidentin për pritjen e tij. Dua të falënderoj edhe Bashkinë e Tiranës për financimin modest por gjithsesi i rëndësishëm. Dua të falënderoj gjithë punëtorët që u morën me këtë punë, punuan ditë e natë. Sot jemi të gjithë të bashkuar në ndjenjën e kësaj dite. Ndihemi të gjithë pjesë e një mrekullie që në pjesën e përditshme e harrojmë. Kemi një thesar që njerëzit e kërkojnë e nuk e gjejnë. Edhe pse historia s’ka qenë bujare me ne, shqiptarët sot meritojnë të respektohen. Shqiptarët duhet të respektohen e jo paragjykohen si një vend mysliman. Shqipëria e sotme është si një vend që ndriçon”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama: Pak minuta para përcjelljes së njeriut që na ndriçoi zemrën
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë në rrjetin social “Facebook” emocionet e përshëndetjes me Papa Franceskun, pak para se Ati i Shenjtë largohet nga Shqipëria. Pas përfundimit të takimeve në Tiranë e në qendrën “Betania” në Fushë-Krujë, Papa Francesku është drejtuar për në aeroportin e Rinasit, ku edhe është takuar me kryeministrin Rama.
“Pak minuta para përcjelljes së njeriut që na ndriçoi sot zemrën, atdheun, flamurin”, shkruan kryeministri Rama.
Add new comment