Panairi "Work & Study", Tabaku: 3000 vende pune të ofruara nga bizneset e kryeqytetit

Në ditën e dytë të Panairit "Work & Study", të organizuar nga Dhoma e Tregtisë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, MASH, Ministrinë e Punës dhe sipërmarrësit e kryeqytetit, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, deklaroi se nga sipërmarrësit vijnë sinjale pozitive për një ekonomi të shëndetshme dhe shtim të vendeve të punës për vitin e ardhshëm.
Tabaku bëri të ditur se nga dita e çeljes së këtij aktiviteti, 3000 vende pune në Tiranë dhe jashtë vendit u janë ofruar punëkërkuesve. Këto shifrat surprizë, tha ajo, janë një lajm i mirë jo vetëm për të gjithë ata që janë në pritje të një vendi pune, por edhe për ekonominë e kryeqytetit.
"Klima dhe lehtësirat e krijuara për biznesin, projektet e nisura tashmë nga zbatimi në infrastrukturë dhe mbi të gjitha energjia pozitive që po çlirohet çdo ditë në qytetin e Tiranës, ka sjellë një tendencë zgjerimi dhe rritje të kompanive të ndryshme që operojnë në kryeqytet, e shoqëruar me shtim të vendeve të punës", tha Tabaku.
Ndërsa falenderoi bizneset pjesëmarrëse në panair për mundësitë reale dhe potencialet që ato ofrojnë, ajo bëri të ditur se janë edhe 1000 vende të lira pune për vitin 2012 dhe 400 të tjera për vitin 2013. "Në një moment kur të gjithë tregjet janë në krizë, bizneset në Tiranë po ofrojnë mundësi për t’u zgjeruar dhe punësuar studentë", tha Tabaku.
Ajo siguroi se prioritet i bashkisë mbetet punësimi dhe prioriteti kryesor është për të ndihmuar të gjithë të sapo-diplomuarit në qytetin e Tiranës.
Ballkanweb.com
Add new comment