Përmbytja, Mimoza i kërkon ndihmë Bashës: Desh m'u mbyt nipi në gjumë

Reshjet e ditëve të fundit kanë rikthyer përmbytjet në zonën e shinave të trenit afër bregut të Lumit. Shtëpia e Mimoza Telës, është përmbytur papritur mbrëmjen e djeshme, duke vënë në rrezik jetën e saj dhe të nipit 6-vjeçar, pasi gjithçka ka ndodhur kur ata ishin në gjumë. Ajo u bën apel institucioneve që ta ndihmojnë për të përfituar një banesë sociale, pasi kjo situatë ndodh sa herë bie shi.
Mimoza tregon: “Mbrëmë, në orën 12 të natës kur nisi shiu, isha duke fjetur bashkë me djalin e vogël. Befas e dëgjoj të qante dhe e preka, por m’u futën duart në ujë që sa vinte e shtohej si dallgë. Nuk kisha më nga t’ia mbaja, por mora kaçavidën dhe kam hapur vrima në mur që uji të dilte jashtë, nëpër oborret e komshinjve.”
Mimoza na shpjegon se për këtë ka njoftuar edhe vetë Kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, por ende nuk i është dhënë një zgjidhje. Ajo u bën apel të gjithë institucioneve që ta ndihmojnë, pasi jetesa në këtë shtëpi është bërë e pamundur.
"I kam bërë thirrje disa herë kryetarit të bashkisë Lulzim Basha dhe kanë ardhur e kanë parë gjendjen,"- tha ajo, - "por nuk më kanë dhënë zgjidhje. Unë dëshiroj të më japin një banesë sociale dhe të rregullohem si të tjerët, veçanërisht për nipin e vogël djalin e vogël, që e ka në ngarkim me vendim gjykate, pasi vajzën e ka të sëmurë."
Add new comment