Nikoliç paralajmëron luftë për marrjen e Kosovës

Postuar në 21 Korrik, 2012 03:49

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç nuk e ka përjashtuar opsionin e luftës për "ta kthyer Kosovën?, nëse sikurse është shprehur ai për mediat serbe kjo i "imponohet nga Prishtina dhe kryeministri Hashim Thaçi".

"Nëse ndokush e sulmon dhunshëm veriun e Kosovës duhet ta ketë parasysh se edhe Serbia mund ta ndjekë të njëjtën rrugë për ta kthyer Kosovën. Pra, kush është ai që në një rast e justifikon forcën e në tjetrin jo", është shprehur Nikoliq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari serb se si do të reagonte ai si komandant i Ushtrisë së Serbisë, nëse Hashim Thaçi ndërmerr ndonjë hap të dhunshëm kundër serbëve në veri.

"Qytetërimi bashkëkohor nuk është mirë që të jetë indiferent ndaj dhunës që ushtrohet mbi serbët në veri të Kosovës. I kam bindur të gjithë faktorët e bashkësisë ndërkombëtare, me të cilët kam biseduar, se kjo do të ishte e pakuptimtë. Këtë Serbia nuk mund ta durojë, pasi OKB nuk e kanë dërguar KFOR-in në Kosovë që të pushtojë territore", tha ai.

Nikoliç theksoi se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës duhet të angazhohen të gjithë faktorët që janë të rëndësishëm në Serbi, në mënyrë që të hartohet përfundimisht  një platformë e mbështetur në Kushtetutë dhe në interesat e qytetarëve, duke këmbëngulur që në negociata të përfshihen edhe Kombet e Bashkuara.

Në pyetjen se a ka plan konkret për Kosovën kur bën thirrje për angazhimin e të gjithë faktorëve relevantë, presidenti serb u përgjigj: "Sa herë që dikush të vërsulet ndaj nesh dhe të bëjë trysni, ne nuk do të lejojmë që shteti i vetëshpallur i Kosovës të bëhet anëtar i OKB. Kjo është arma jonë më e fuqishme. Nëse për këtë arrijmë që ta bindim Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare, e sidomos ata që po bëjnë presion ndaj nesh, atëherë bisedimet do të zhvillohen më lehtë".

Presidenti i Serbisë tha se është i gatshëm që të propozojë një zgjidhje, e cila tashmë ka gjetur zbatim edhe në vendet tjera, siç është statusi i gjermanëve në Belgjikë dhe në Tirolin Jugor. "Pra, ka zgjidhje që edhe mund ta ruajë sovranitetin e Serbisë e edhe t'i kënaqë shqiptarët", përfundoi Nikoliç

 

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.