Ndotja me lëndë kimike në liqenin e Fierzës në përmasa alarmante

Përmasa gjithnjë e më alarmante po merr niveli i ndotjes së ujrave të liqenit të Fierzës, në rrethin e Kukësit, duke shkaktuar dëmtimin në një masë të konsiderueshme të faunës së këtij liqeni. Por nuk janë vetëm ndotjet urbane e bakteorologjike të pranishme gjerësisht në ujrat e këtij liqenit.
Një ditë më parë, vetëm brenda pak orëve ndotja me lëndë kimike ka arritur në një nivel mjaft të lartë, duke shkaktuar një katastrofë ekologjike.
Këtë e pohojnë edhe specialistët e peshkimit, të cilët këshillojnë moskonsumimin e peshkut të këtij liqeni.
Inspektori i peshkimit në liqenin e Fierzës, Arben Palushi, thotë se origjina e ndotjes kimike ka ardhur nga Kosova.
"Gjithë lugina e Drinit të Bardhë, deri në vendin ku bashkohen dy Drinat, është thuajse tërësisht e ndotur me valvolinë, ose vaj të djegur, ndërsa e gjithë sipërfaqja e liqenit është e mbuluar nga një ngjyrë e zezë, e cila po shkakton asfiksi të faunës së liqenit”, thotë Palushi.
Sipas tij, "kësisoj shkaktohet asfiksimi i menjëhershëm i gjallesave të liqenit apo të zogjve që u afrohen brigjeve të liqenit".
Sipas peshkatarëve, kjo është ndotja më e rëndë e shfaqur në ujrat e liqenit të Fierzës që kur u krijua ky liqen në vitin 1978.
"Nga verifikimet që kemi bërë, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, në liqenin e Fierzës nuk është konstatuar ndonjë derdhje e lëndëve kimike, e shkaktuar nga kamionët që kanë kaluar në akset rrugore të qarkut të Kukësit”, thotë Palushi.
Pavarësisht burimit të ndotjes, situata tashmë është mjaft e rëndë. Aq më tepër që po afrohet sezoni i plazhit dhe banorët e zonës më të varfër të vendit, në pamundësi ekonomike për t’iu drejtuar plazheve të bregdetit, deri tani kishin gjetur si zgjidhje plazhin në brigjet e liqenit.
Situata rëndohet edhe më shumë kur dihet se deri tani nuk është bërë asgjë për pastrimin e mbetjeve urbane, atyre plastike, mbeturinave spitalore apo mbeturinave industriale që kanë mbushur prej ditësh ujrat e liqenit.
Ndërsa prania e lëndëve kimike është një sinjal alarmi për t’i dhënë fund indiferentizmit me çfarë po ndodh në liqenin e Fierzës.
Edhe pse jo në përmasa të tilla, një situatë e tillë e ndotjes së liqenit të Fierzës, përsitet nga viti në vit, por deri tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje efikase për parandalimin e fenomenit, ndonëse për këtë qëllim janë kryer edhe disa takime me pushtetin vendor të Kosovës.
Ballkanweb.com
Comments
Te nderruar duhet te
<p>Te nderruar duhet te kontrollohet ne Kosove se mbeturinat vajrat dhe tjerat helme vine nga kosova ku nga mos ndergjegjja e restauranteve,fabrikave private,serviseve shkaktojn ndotje regullisht,</p>
Add new comment