Nderi i Inisit pёrballё ç’nderimit tё njё shoqёrie.

Nga Ermir Hoxha/ Dita
Pothuaj ish harruar ajo histori e 2006-ës ku një popull i tërë, falë një risie teknologjike të quajtur bluetouth, u marros duke parë në ekranin e vockëltë celularit kurmin e një femre, që përpos gjesteve me natyre erotike, çoç shijonte dhe ngapak “pluhur llokumi” . E megjithatë, tej faktit se u cënua nderi e dinjiteti i një njeriu (vajza në fjalë sot është dhe nënë, e si çdo krijesë gëzon të drejtën për t`u ndjerë me nder e dinjitet, ashtu siç ajo e kupton), një pjesë e shoqërisë i vuri një njollë nderit të vet, duke u katandisur si ata shqiptarët e fundit të viteve 90-të që lëngëzonin poshtë e lartë duke parë ‘electrit blue’, apo me keq akoma, si ata ushtarë të frustruar seksualisht, që teksa shihnin dikur vetëm lajmet e TVSH-së, shpërthenin në korr duke thithur buzërrumbullakosur, edhe pse përballë në ekran kishin një zonjë grua, me goxha personalitet e aspak provokative. Siç merret me mend, fjala është për Inis Gjonin.
Ishte ndër ato histori që vetëm ligjësia e kohës si shërues plagësh me “çudinë që vetëm tre ditë zgjat”, mund ta ngushëllonte. Tashmë, kjo histori rikthehet në fokus, pasi çështja e asaj video-je që implikonte oficerë policie, do rishqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Sigurisht që sot pakkujt mund t`i interesojë ajo histori, pasi ngjan sikur të gjithë të dhënit pas atyre pamjeve janë në një gjendjeje postorgazmike shpërfillëse kundrejt asaj që më parë ishte çmendurisht tunduese. Ajo që vlen të vecohet në gjithë këtë histori, ishte themelimi pas saj i një sërë suplementesh me “syrin në vrimë çelësi”, ku kurmet femërore të sa e sa çupkave – vip, u lëshohen njerëzve porsi copa mishi me helm për t`jua hequr petllën, apo ndryshe për t`jua asfiksuar trurin e hequr cipën, siç Tomka me shokë ja hodhi atij qenit të zi të gjermanëve për ta lënë të ngordhur në vend.
Add new comment