Ndërtimet pa leje. Policia: Në 48 orë janë proceduar penalisht 64 persona

Postuar në 27 Gusht, 2014 09:38

TIRANË - Prej tre ditësh, policia e shtetit ka vënë në zbatim një sërë masash për goditjen e krimit mjedisor dhe në mënyrë të veçantë ndërtimet pa leje, në funksion të përmbushjes së prioriteteve dhe objektivave të vendosur nga Qeveria, si dhe zbatim të detyrave institucionale.

Në sajë të këtyre masave strukturat e Policisë së Shtetit në harkun kohor të 48 orëve në shkallë vendi kanë evidentuar 64 ndërtime pa leje, duke proceduar penalisht 64 persona, nga të cilët 6 shtetas janë arrestuar në flagrancë, 56 prej tyre janë proceduar dhe ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Po ashtu janë planifikuar dhe organizuar shërbime policore për kapjen në flagrancë të personave apo subjekteve juridike, që kryejnë një veprimtari të tillë kriminale dhe procedimin e tyre sipas ligjit.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Altin Qato përmes një deklarate për mediat bëri me dije se krahas këtyre masave, do të konstatohen veprime ose mosveprime në kundërshtim me ligjin të punonjësve të institucioneve që ligji i ngarkon me detyra në këtë drejtim.

Po ashtu në të gjitha rastet që kryhen veprimet procedurale, nga strukturat e Policisë së Shtetit do të bëhet dhe verifikimi i të ardhurave të personave që kryejnë këto ndërtime abuzive, nëse janë produkt i veprimtarisë kriminale, duke konkluduar sipas rastit dhe me hapa të mëtejshëm ligjor.

Për çdo rast të sinjalizuar menjëherë janë marrë masat e nevojshme për dërgimin e shërbimeve policore, verifikimin e rasteve, kryerjen e pezullimit të punimeve dhe shoqërimin e personave të dyshuar për ndërtimin e objekteve të paligjshme.

Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri masat për goditjen e krimit mjedisor dhe ndërtimeve të paligjshme, duke vendosur para drejtësisë të gjithë ato persona, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Rastet e evidentuara për ndërtime pa leje sipas Drejtorive të Policisë në Qarqe:
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë janë evidentuar 27 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 27 persona, nga të cilët 3 janë arrestuar në flagrancë, 22 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.

Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës, janë evidentuar 10 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 10 persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan janë evidentuar 5 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 5 persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë janë evidentuar 4 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 4 persona, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë , 2 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier është evidentuar 1 rast për të cilin ndiqet në gjendje të lirë një shtetas.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë janë evidentuar 3 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 3 persona, nga të cilët 1 është arrestuar në flagrancë dhe 1 ndiqet në gjendje të lirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.