Nëse Greqia del nga Euro, rritet papunësia në Eurozonë

Dalja e mundshme e Greqisë nga euro veç pasojave të tjera, do të ketë një ndikim të madh negativ në çështjen e punësimit në eurozonë, vlerëson drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Punës (International Labour Office-ILO), Guy Ryder.
“Në bazë të parashikimeve të Sekretariatit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, është e qartë se nëse Greqia do të largohet nga zona e euros, kjo do të kishte një ndikim të rëndësishëm negativ në punësim, jo vetëm në këtë vend, por në të gjithë eurozonën”, thotë drejtori i ILO-s, në një intervistë mbi çështjet evropiane.
Sipas këtyre parashikimeve, papunësia në këtë rast, do të rritej mbi 17% në eurozonë, madje do të prekeshin edhe vende si Gjermania. “Do të kishim rritje të papunësisë në Gjermani me 26% deri në vitin 2014. Ky është pasqyrimi më i mirë i interesit të përbashkët që duhet të mbizotërojë në BE”, shprehet Ryder.
“Në përpjekje për të gjetur zgjidhje për krizën në eurozonë, askush nuk duhet të mendojë se dalja e Greqisë apo ndonjë vendi tjetër do të jetë pa kosto”, shton Ryder, duke theksuar se “ata që e shohin koston vetëm në ndihmën financiare që i japin Greqisë, duhet të marrin parasysh se kostoja e vërtetë, është dështimi i vendit për të qëndruar në euro”.
Drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Punës kundërshton edhe një seri reformash që promovohen në Greqi, të tilla si fleksibiliteti në negociatat e punës dhe në sistemin e pagave minimale, ose shkurtimet e pagave për të rritur konkurrencën.
Në lidhje me negociatat kolektive për marrëdhëniet e punës, drejtori i ILO-s, vë në dukje se "kam frikë që pasojat e ndryshimeve të bëra, thjesht, do të vënë mënjanë në total negociatat kolektive në Greqi. Nëse do të ndodhë kjo, do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme”. Gjithashtu vlerëson se në Greqi “ka një përcarje të dialogut social, pasi qeveria nuk flet me sindikatat dhe shoqatat, dhe askush nuk flet me askënd”.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment