'Nënë Tereza' gati për pedonale, MB Bashkisë: Vi tabela ose vëmë policë

Postuar në 25 Tetor, 2014 07:20

Projekti i qeverisë për të ndaluar parkimin e makinave në  sheshin “Nënë Tereza” dhe për ta kthyer në pedonale nga ora 19:00 deri në 24:00 pritet të vihet në jetë këto ditë. Ministria e Brendshme ka marrë të gjitha masat në zbatim të urdhrit të përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrit të Kulturës. Ministria e Brendshme thotë se në kushtet kur bashkia e Tiranës ende nuk ka vendosur sinjalistikat rrugore përgjatë bulevardit, do të zbatojë vendimin e qeverisë duke kontrolluar qarkullimin nga efektivë rrugorë.
 
Bashkia e Tiranës ka dalë kundër vendimit të qeverisë dhe ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë, pasi sipas saj ka qenë Bashkia që më herët ka paraqitur një tjetër projekt për Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
 
Vendimi i qeverisë erdhi pas thirrjeve të shumë qytetarë të kryeqytetit për të krijuar një zonë pedonale, dhe sipas ministres së Kulturës Mirela Kumbaro kjo traditë do të ndiqet së shejti edhe për zona të tjera të Tiranës.
 
Sipas këtij vendimit, nga ura e Lanës deri në sheshin “Nënë Tereza” nuk do të prakohen më automjete, ndërsa çdo ditë nga ora 19:00 deri në 24:00 do të ndalohet qarkullimi i makinave pasi bulevardi do të kthehet në pedonale për shëtitjen e qytetarëve.
 
Njoftimi i Ministrisë së Punëve të brendshme që sqaron oraret dhe zonat për ndalimin e qarkullimit...si dhe masat që janë marrë prej saj deri më tani
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë masa për zbatimin e Vendimit të Qeverisë Nr.682, datë 15.10.2014 dhe Urdhrit të përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrit të Kulturës, për përcaktimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Ansamblin Monument Kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës.

Sipas urdhrit të tre ministrave ndalohet dhe kufizohet qarkullimi i automjeteve të të gjitha kategorive si dhe parkimi i automjeteve në zonat e sheshit “Nënë Tereza” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pjesë e Ansamblit Monument Kulture të qendrës historike së Tiranës.

Ndalohet qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit në zonën përreth sheshit “Nënë Tereza” nga ora 19:00 deri në orën 24:00.

Ndalohet pushimi dhe qëndrimi i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit rrugor në zonën përreth sheshit Nënë Tereza , me përjashtim të mjeteve të transportit publik të linjave urbane.

Ndalohet pushimi dhe qëndrim i i të gjitha kategorive të mjeteve të transportit rrugor duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri te ura e madhe Lanës, në kryqëzimin me Bulevardin “Bajram Curri”, me përjashtim të mjeteve të transportit publik të linjave urbane. 

Urdhri i përbashkët i tre Ministrave ngarkon Bashkinë e Tiranës të pajisë me sinjalistikë rrugore të nevojshme dhe të bëjë ndërhyrjet e nevojshme në sistemin semaforik për të përshtatur sinjalistikën ekzistuese sipas ndryshimeve të bëra.

Policia e Tiranës nga ana e saj ka marrë të gjitha masat që deri në vendosjen e sinjalistikës së duhur nga ana e Bashkisë së Tiranës, zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe Urdhrit të përbashkët të tre ministrave të realizohet dhe kontrollohet nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore dhe shërbimeve të tjera të policisë së kryeqytetit.

Drejtoria e Policisë së Tiranës fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e zbatimit dhe respektimit të këtyre rregullave të reja të qarkullimit rrugor, që synojnë ta kthejnë aksin kryesor dhe qendrën historike të qytetit të Tiranës në një zonë pedonale në shërbim të banorëve dhe familjeve të kryeqytetit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.