Në burg në Itali, i sekuestrohen 3 milionë euro pasuri në Shqipëri.

Drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa, ka deklaruar se është sekuestruar një pasuri e një personi me precedentë penalë, nën akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Çipa bëri me dije se është bërë një sekuestro preventive për 13650 m2 tokë dhe 8 automjete. Bazuar në një hetim të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me policinë e këtij qarku, në bazë të urdhërit të gjykatës, janë vendosur nën sekuestro preventive rreth 13650 m2 sipërfaqe tokë arë në fshatin Marikaj, si edhe 8 automjete, në pronësi të Aleksander Çavo, 33 vjeç, i akuzuar për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Kryepolici i Tiranës bëri me dije se Aleksander Çavo është arrestuar në shtator të vitit 2013 në bazë të Urdhër-Arrestit Ndërkombëtar të 1 korrikut të vitit 2013, nga Gjykata e Romës në Itali dhe më pas është ekstraduar në shtetin fqinj, ku ishte i kërkuar për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Ndërkohë paralelisht me ekstradimin e tij nga ana e autoriteteve shqiptare nisën verifikimet për pasuritë e tij në territorin shqiptar. Në vazë të verifikimeve të kryera në pronësi të Çavos u zbulua se rezultonin: pasuri e paluajtshme e llojit tokë arë, e ndarë në 8 parcela në fshatin Marikaj; Shoqëria “VICTORIA-AL”, shpk, me veprimtari “Import-eksport i paisjeve të sigurisë dhe vëzhgimit e mbrojtjes nga zjarri. Import tregëtim, mirëmbajtjen e paisjeve mjeksore për përdorim shtëpiak (home care) dhe transport ndërkombëtar mallrash për të tretë e me qera; tetë automjete nga të cilat pesë automjete të tonazhit të rëndë për transport ndërkombëtar dhe dy autovetura luksoze me targa ZK 2380, TR 3939 M; TR.612 M; TR.4188 K; AA 131 EP; AA 024 IG; mjete të tonazhit të lartë; AA 103 CJ dhe TR6551 T. Këto prona në emër të 33 vjeçarit të cilat kapin vlerën rreth 3 milionë euro, janë vendosur nën sekuestro preventive ditën e sotme, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 30.04.2014. “Të gjitha faktet e provuara deri tani mbështesin dyshimin se pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, si dhe shoqëria e transportit, janë krijuar mbi bazën e të ardhurave të siguruara nga aktiviteti kriminal i shtetasit A. Çavo, pra, pasuritë dyshohet të jenë produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike të kryer prej tij”, deklaroi Çipa.
Add new comment