Mirditë, vrau me thikë në fyt gruan e veten, letra: Kush ngre krye i pritet!

Postuar në 09 Maj, 2014 03:52

Tragjedi në familjen Biba që banonte në Durrës, por me origjinë nga Mirdita, pasi kreu i familjes Mark Biba, ka vrarë me thikë duke i prerë fytin, bashkëshortesë së tij Gjylestina Biba dhe më pas ka varur veten në një pemë. Këtë e konfirmon edhe fakti që Mark Biba ka lënë edhe një letër. Ngjarja mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë për shkaqe xhelozie mes çiftit. Por më të rëndë e ka bërë këtë ngjarje edhe transportimi me anë të një kamion tip “Ifa” i trupave të viktimave nga fshati Domgjon ku ka ndodhur krimi, për në Rrëshen ku edhe do të bëhej një ekspertim mjeko-ligjor.

Çifti banonte në Durrës prej vitesh, por mesditën e së mërkurës,  të 7 majit, ata janë nisur me motorr nga qyteti bregdetar për të shkuar në vendin e origjinës, ku edhe ka ndodhur krimi i dyfishtë. Krimi makabër është zbuluar vetëm mëngjesin e djeshëm, kur një banor i zonës ka shkuar në banesën e çiftit Biba për t’i ftuar për kafe por aty ka parë skenat e tmerrshme të vrasjes dhe të vetëvarjes.
 
KRIMI I DYFISHTË
Krimi i dyfishtë ku mbetën të vdekur burrë e grua duket se i ka fillimet që më parë. Xhelozia që Mark Biba kishte ndaj bashkëshortes së tij Gjylestina, ka përfunduar dje me vrasje. 50-vjeçari masakron me thikë gruan e tij 47-vjeçare dhe më pas ka varur veten. Krimi i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Domgjon të Komunës së Fanit të Mirditës, ku Mark Biba pasi ka vrarë më thikë gruan e tij Gjylestina  Bibën, më pas ka varur veten tek nje pemë afër stanit. Trupi i pajetë i 47-vjeçares Biba është gjetur në stanin e familjes që ishte pranë shtëpisë së vjetër të tyre. Ndërkaq, pas vrasjes së bashkëshortes së tij, Mark Biba kishte vendosur që t’i jepte fund jetës së tij dhe për këtë gjë kishte vendosur vetëvarjen. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit Biba është gjetur në një pemë pranë stanit të familjes.
 
UDHËTIMI DREJT VDEKJES 
Familja Biba prej vitesh jetonte në Durrës, pasi kishin zbritur nga fshati ku jetonin më parë. Por gjatë jetesës në qytetin bregdetar, kishin lindur dhe xhelozitë mes çiftit. Për këtë qëllim dje 50-vjeçari bashkë me bashkëshorten e tij kanë udhëtuar nga Durrësi në Mirditë. Mark Biba e ka dërguar gruan e tij me motorr në fshatin Domgjon, ku edhe ka kryer vrasjen. Trupat e pajetë janë zbuluar disa orë më vonë nga banorët e zonës. Krimi makabër ka tronditur banorët e fshatit të vogël, të cilët kanë refuzuar të flasin për ngjarjen. “Fëmijët të jetojnë të qetë megjithëse une kam kryer këtë krim.  Kush ngre krye do t’i këputet”, mësohet se shkruhet në letrën që është lënë në vendin e ngjarjes.
 
HETIMET E POLICISË
Pasi janë njoftuar nga banorët, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe uniformat blu që kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit. Sipas tyre, 50-vjeçari Biba e ka qëlluar bashkëshorten me thikë në fyt duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, policia ka marrë trupat dhe i ka nisur drejt morgut të spitalit të Rrëshenit ku është bërë edhe një raport mjeko-ligjor. Nga hetimet e para dhe dëshmitë e marra, policia ka arritur në përfundimin paraprak se, krimi i rëndë ka ndodhur për shkaqe xhelozie mes çiftit. Mësohet se çifti Biba jetonte prej disa kohësh në fshatin Rinia të Durrësit së bashku me dy fëmijët e tyre. Siç bëhet e ditur, në banesën e familjes Biba në Durrës ditën e djeshme nuk kishte asnjeri pasi familjarët kishin shkuar në Mirditë, ku dhe janë trupat e viktimave. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.