Meta takon fermerët e Mollasit Prioritet prodhimi dhe infrastruktura.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me fermerët dhe banorët e komunës Mollas, në qarkun e Elbasanit. Diskutimi u përqëndrua kryesisht në problematikat e tregut të produkteve të kësaj komune dhe në përmirësimin e infrastrukturës.
Meta i shprehu banorëve të zonës mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë shqiptare për bujqësinë dhe garantoi rritjen e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës me qëllim rritjen e prodhimit vendas.
“Do të jemi vazhdimisht në mbështetje të komunitetit tuaj. Infrastruktura do të përmirësohet edhe më tej dhe për këtë do të ketë investime konkrete për vitin e ardhshëm. Sa i takon infrastrukturës së bujqësisë, ju me të drejtë ngritët disa shqetësime, sidomos investime për vaditjen, për të futur sipërfaqe më të mëdha në ujë. Do ta ndjekim edhe këtë çështje të përmirësimit të infrastrukturës së tokës bujqësore në mënyrë që të rritet prodhimtaria e saj.”-tha Meta gjatë takimit me fermerët.
Githashtu Meta theksoi se mbetet me rëndësi vendimtare rritja e investimeve për grumbullimin e produkteve bujqësore me qëllim shitjen e tyre në tregun ndërkombëtar, si dhe rritja e sigurisë së këtyre produkteve.
“Vendimtare besoj mbetet rritja e vlerës së të punësuarit dhe siguria e tregut për produktet tuaja. Për këtë qëllim, angazhimi ynë do të jetë maksimal për të garantuar grumbullimine produkteve tuaja me qëllim nxjerrjen e tyre me sukses në tregun vendas dhe në tregun ndërkombëtar”- deklaroi Meta.
Sipas Kryetarit të Kuvendit bujqësia e vendit po përjeton një moment pozitiv të rritjes së eksporteve, ndërsa shtoi se prioritet duhet të mbetet mbështetja e skemave që rrisin jo vetëm kapacitetet prodhuese, por edhe ato grumbulluese. Ndërsa Meta u shpreh i kënaqur dhe për punën e bërë nga fermerët e Mollasit.
“ Edhe Mollasi ka kontributin e vet. Sidomos sa i takon domateve dhe perimeve të cilat kanë qenë dhe janë mjaft të kërkuara, ndërkohë që prioritet duhet të mbetet mbështetja e të gjitha skemave investuese në bujqësi, të cilat rrisin jo vetëm kapacitetet prodhuese, por edhe ato grumbulluese, magazinuese në mënyrë që prodhimet të jenë të sigurta në çdo kohë për t’u tregtuar me sukses”- u shpreh më tej gjatë takimit Meta.
Meta gjithashtu u kërkoi banorëve dhe rritjen e sipërfaqeve të serave, duke theksuar se mbi këtë investim potencial të fermerëve do të ketë edhe shtim të subvencionimit për rritjen e sipërfaqeve.
“Absolutisht rritja e sipërfaqes së serave është shumë e rëndësishme, sepse bujqësia ka rrisqet e saj dhe ju e dini shumë mirë këtëçështje. Investimi në sera, sidomos në serat me plasmas të cilat edhe nuk kushtojnë shumë, mund të jenë me shumë interes. Vitin që vjen do të ketë një rritje të ndjeshme të mbështetjes dhe të subvencionimit përtë shtuar sipërfaqet me sera”- shtoi Meta mbi çështjen e shtimit të sipërfaqeve të serave.
Add new comment