Meta dëshmon: Ballafaqohem me Doshin e Berishën. Toma vetë është antiprovë
Pas daljes, Kryetari i Kuvendit tha se është i hapur për një hetim të plotë të të gjithë çështjes dhe ripërsëriti qëndrimin se videoja është një sajesë, duke e cilësuar atë “video të Tomës për Tomën”.
Meta tha se ishte i gatshëm që, nëse prokurorët e shohin të arsyeshme, të ballafaqohet me dy akuzuesit e tij, deputetin Doshi dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Jam këtu që të bashkëpunoj me prokurorinë për hetimin e plotë të kësaj çështjeje, duke iu nënshtruar ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Kam shprehur gatishmërinë nëse prokuroria do ta shohë të arsyeshme të bëjë ballafaqim me dy akuzuaesit e mi, Doshin dhe Berishën dhe me cilindo që pretendon se ka prova që përfshijnë Metën me këtë çështje. Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm Doktori mund ta marrë, ndërsa Toma si person përbën më shumë antiprovë se sa provë juridike. Video e Tomës me Tomën nuk mund të përbëjë provë. Edhe vetë Toma si person është një antiprovë”, tha ai.
Kryeparlamentari u pyet edhe për kërkesën e opozitës për dorëheqje, kërkesë kjo e artikuluar disa herë edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Kur kërkesa vjen nga Basha, i akuzuar për aferën e korrupsionit për 230 milionë euro në rrugën Durrës-Kukës, e që dha shembullin që nuk u largua nga qeveria, por bëri çdo gjë për ta mbyllur çështjen sipas procedurave, jo për t’i shkuar çështjes deri në fund… ai është një model i shkëlqyer për t’u marrë shembull se si i hapet rruga hetimit”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së tha se, qoftë si kryetar i Parlamentit, qoftë si deputet, nuk ka asnjë ndikim në procesin e hetimit, ndërsa shtoi se tashmë akuzat vijnë nga opozita, pas deklaratave të Tom Doshit, shantazhin e të cilit për doganat dhe tatimet, sipas Metës, grupi parlamentar socialist nuk e pranoi.
Meta iu përgjigj pozitivisht ftesës së prokurorisë ditën e enjte, e cila e ftoi për të dhënë dëshmi, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, deputetët Sali Berisha, Mhill Fufi dhe Mark Frroku.
Ky i fundit është thirrur nga organi i akuzës pas dëshmisë së dhënë prej Tom Doshit, ku emri i deputetit demokristian është përmendur si personi që e ka vënë në dijeni Doshin për atentatin. Një gjë të tillë, Doshi e konfirmoi edhe në intervistën ekskluzive, dhënë Sokol Ballës në Top Story.
Ndërkohë, në orën 10:00, po të premten, në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u paraqit Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe rreth orës 12:00 do të paraqitet Kryeministri Edi Rama.
Të dy përfaqësuesit e qeverisë, së bashku me Ilir Metën, konfirmuan dhënien e dëshmisë një ditë më parë. Ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse në prokurori do të paraqitet edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar nga prokurorët për të dëshmuar pas deklaratave të tij në Kuvend në seancën e së enjtes.
/ Top Channel
Add new comment