Mediat: Presidentja Jahjaga rrezikon të shkelë Kushtetutën.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke e ndjekur shembullin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, po rrezikon ta shkelë edhe vetë aktin më të lart juridik të shtetit.
Nëse nuk e ndryshon draftin e letrës të cilin do t’ia dërgojë baroneshës Catherine Ashton, atëherë edhe ajo do ta bjerë ndesh me aktin më të lart juridik të shtetit, duke konfirmuar vazhdimësinë e punës së tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, të cilëve u skadon mandati më 31 gusht të këtij viti.
“Unë konfirmoj emërimin e gjyqtarëve të EULEX-it, të emëruar në bazë të shkëmbimeve tona të mëparshme të letrave, prokurorëve që shërbejnë në EULEX – Kosovë, si dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë që shërbejnë në Gjykatën Kushtetuese të emëruar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar…”, thuhet në draftin e letrës, që zyrtarisht nuk është konfirmuar të jetë i versionit përfundimtar.
Vazhdimi i mandatit të treshes ndërkombëtare aktualisht nuk ka asnjë mbështetje ligjore dhe kushtetuese që nga koha e hyrjes në fuqi të amendamenteve që i kanë dhënë vulë përfundimit të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Për më tepër, neni 152 i Kushtetutës, i cili e definonte përbërjen e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, është shlyer nga Kushtetuta, që nga shtatori i vitit 2012, kur edhe është shpallur “mëvetësia e plotë e shtetit”.
Derisa Presidenca hesht për këtë çështje, ekspertët kushtetues e cilësojnë antikushtetues vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtar.
Add new comment