Lulzim Basha me nobelistin Yunus “Vendosim fonde të përbashkëta”

Postuar në 08 Nëntor, 2014 05:41

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me nobelistin Muhammad Yunus, ku kanë rënë dakord për akordimin e  fondeve të përbashkëta, për hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e punësimit
 
Basha ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të Yunus, për t’u dhënë mundësinë e hapjes së një biznesi, vetëpunësimit dhe punësimit mijëra njerëzve anembanë botës. Nxitja e hapjes së bizneseve të reja dhe punësimi është prioritet i Bashkisë së Tiranës,- theksoi  Basha. 
 
Gjithashtu Kryebashkiaku Basha e njohu nobelistin Yunus me iniciativat e ndërmarra nga ana e  Bashkisë së Tiranës, për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja dhe zgjeruar ato ekzistuese, kryesisht nga të rinjtë. Bashkia e Tiranës  ka vendosur një fond prej 1 milion eurosh, i cili shërben si fond garancie për bizneset e reja që hapen apo drejtohen nga të rinj, një skemë që përdoret për herë të parë nga pushteti vendor në Shqipëri.
 
Një tjetër iniciativë ku Bashkia e Tiranës ka investuar për herë të parë është “Crimson Capital”. Bashkia dhe donatorë të tjerë kanë vënë një fond prej 5.2 milionë dollarësh për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Tiranë.
 
Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave është bërë i vështirë, madje i pamundur suksesi i bizneseve të konsoliduara, pasi për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.
 
Në këtë kuadër, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, i shanseve për punësim është një nga synimet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës,- theksoi kryebashkiaku Basha, duke shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me “Yunus Social Business Albania”, për të nxitur nëpërmjet instrumenteve të përbashkëta, punësimin e të rinjve të cilët duan të ndërmarrin iniciativa private biznesi por e kanë të pamundur të kenë akses në tregun financiar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.