Luftime të reja në Siri, Bajram i vështirë për refugjatët

Postuar në 19 Gusht, 2012 11:00

Fitër Bajrami, ndër ditët më të rëndësishme të kalendarit islamik, është përcjellë me luftime të reja në Siri, vatrën më të nxehtë të konfliktit aktualisht në botë, ndërsa festimet janë reduktuar për shkak të mungesave në ushqime apo energji elektrike. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi se Ushtria vazhdoi bombardimin e lagjeve të tëra në Aleppo. 

Kryengritësit mbajnë në këtë qytet disa zona dhe ndodhen në përpjekje për të zmbrapsur sulmet e trupave qeveritare. Luftimet kanë vazhduar për Bajram edhe në provincën Deir Al Zor, zona naftëmbajtëse e Sirisë. Por, ndërsa brenda Sirisë, informacionet janë të pakta, refugjatët sirianë në Jordani e Turqi e kanë pritur Bajramin në kushte të vështira dhe janë lutur që të kthehen sa më parë në shtëpitë e tyre. 

Refugjatët në kampin Zaatari në qytetin kufitar Mafraq në Jordani thanë se përshkallëzimi i dhunës në vendin e tyre i ka lënë ata në kushte të mjera jetese, me asgjë për të festuar. "Së pari, nuk kemi fare Bajram. Bombardimet janë të vazhdueshme në Siri, në të gjitha fshatrat. Ne hoqëm shumë për të arritur deri këtu. Ka sulme ushtarake gjithë kohës. Zoti na doli krahë që erdhëm këtu. Situata është e jerë dhe nuk ka Bajram për ne",-thotë një refugjat sirian i cili, arriti në kamp në orët e para të së dielës. 

Pasi kryen faljen e Bajramit, burrat në kamp u mblodhën me parrulla kundër presidentit Bashar al-Assad. Agjencitë e ndihmës dhe shoqatat lokale të bamirësisë shpërndanë dhurata për fëmijët, të cilët, sikundër prindërit e tyre, dëshirojnë më shumë të kthehen në shtëpi. Më shumë se 130 persona u vranë në Siri gjatë së shtunës.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.