Libra të rinj në Tiranë

Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.
“Historia e Krishterimit” nga Gian Luca Potestà & Giovanni Vian. Ky libër është prezantuar në kuadër të aktiviteteve të parashikuara për Javën e XII të Gjuhës italiane në botë dhe është përkthyer me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane. Botuesi Petrit Ymeri e cilësoi këtë botim si pjesë të kolanës historike duke theksuar se kristianizmi nuk është vetëm një fe, por historia e mendimit, historia e kishës e influencës së personaliteteve të saj. “Është një botim ku mund të nxirren përfundime për ndikimin e shkrimit të shenjtë në proceset e zhvillimit kulturor, jo vetëm të shoqërisë sonë, por edhe në botë. Autorët nuk e kanë shkruar dhe nuk e kanë trajtuar këtë libër nga pozitat e besimtarëve, por nga pozitat e historianëve”, është shprehut studjuesi Jorgo Bulo. Libri është një botim i shtëpisë botuese “Dituria” dhe kushton 1250 lekë.
“Çështja shqiptare, pas Pavarësisë së Kosovës” nga Shaban Murati. Vepra është një analizë komplekse e çështjes shqiptare në rrethanat e krijuara pas krijimit të shtetit më të ri të Europës. Shaban Murati është një diplomat karriere dhe gazetar. Autor i shumë librave, shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Libri është një botim i Institutit Shqiptar i mendimit dhe Qytetërimit Islam.
“Shenja te munguara ne letrat shqipe” nga Korab Hoxha. Ajo që të bie në sy dukshëm është analiza moderne e strukturës poetike, çka sjell për pasojë dhe shkeljen e disa tabuve deri më tani krejt të paprekura. Dhe kjo, padyshim, përbën një risi në fushën e përkthimit artistik. “Përsa i përket mënyrës së shtjellimit, do të vija në dukje ndërthurjen e përjetimeve poetike me përfundimet shkencore që vijnë pas qëmtimesh të shumta modelesh përkthimorë e që grupohen rreth një metafore të gjetur, që autori e quan dukuria e hënës, prej së cilës, deri vonë, ne kishim njohur vetëm anën e ndritshme. Mendoj se, paskëtaj, hëna e poezisë ruse shpërfaqet e plotë në shenjat shqipe”, shkruan Ilia Lëngu për librin. Ky botim vjen në treg nga shtëpia botuese “Naimi”
“Major Ahmet Lepenica” nga Enver Memishaj Lepenica. Kjo është monografi kushtuar komandantit të Përgjithshëm të Luftës së Vlorës, Ahmet Lepenicës. Libri i shkruar nga Enver Memishaj-Lepenica përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentesh të kohës mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej njerëzve më të shquar të Labërisë që gjithë jetën ia kushtoi luftërave për liri e pavarësi të Shqipërisë. Libri është një botim i “Geer” dhe kushton 600 lekë.
Ballkanweb.com
Add new comment