Lame i përgjigjet PD-së: Gjeni një copë letër timen në kundërshtim me ligjin.

Në bibliotekën e qytetit të Lezhës është bërë ceremonia e ndarjes së lejeve të para të legalizimit nga qeveria Rama për këtë qark. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Drejtor i Përgjithshëm e ALUIZNI-t Artan Lame, deputeti i Lezhës Arben Noka si dhe kreu i ALUIZNI-t Lezhë Pashk Luka. Znj. Gjermeni si dhe z. Lame kanë shpjeguar ligjin e ri për legalizimin që pritet të kalojë në komisionet parlamentare. Ata kanë kërkuar nga shqiptarët besim tek reforma, e cila nuk është bërë asnjëherë në 15 vite proces. ALUIZNI Lezhë kishte përgatitur 12 dosjet e para, të cilat u shpërndanë nga të ftuarit. Qytetarët që sot arritën të merrnin dosjet për të cilat kishin paguar kohë më parë, kanë vlerësuar qeverinë Rama për premtimin e mbajtur në këtë proces.
Ministrja Eglantina Gjermeni, Drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame së bashku me deputetin Namik Kopliku janë ndalur sot në qytetin e Shkodrës për të shpërndarë 50 leje legalizimi të përgatitura nga drejtoria e ALUIZNI-t. Para se të thoshin fjalën e tyre për procesin e legalizimit, të shoqëruar nga drejtoresha Antonela Derza kanë vizituar ambientet ku punon kjo administrata. Sipas Derzës janë rreth 24 mijë dosje që prej 2005-2013, ndërsa 2660 në vitin 2013. Duke qenë se komuna Koplik mbulohet nga stafi i ALUIZNI Shkodër do të shihet mundësia për të shtuar staf që të mbulojë vetëm atë zonë. Znj. Derza ka nënvizuar se do ti jepet përparësi legalizimeve të objekteve të kultit. “Ne si institucion i kemi dërguar një shkresë të gjithë institucioneve të komuniteteve fetare, ku i kemi kërkuar të vijnë të paraqiten e do të kenë përparësi në legalizimin e objekteve të tyre. Kanë ardhur, i mirëpresim e do të kenë përparësi për shpejtësinë e për legalizimin e objekteve të tyre”, -tha Derza.
Z. Lame si i vlerësoni akuzat e Partisë Demokratike ndaj jush për dhënien e një sipërfaqe të truallit 372 m2 Hotel Diplomat?
Nëse bëhet fjalë për një nga shumë, e shumë, e shumë raste që kanë ardhur dosjet për legalizim le të gjejnë një gjysëm letre që është në kundërshtim me ligjin. Një gjysëm, jo një, dhe le ta çojnë në të gjitha instancat që duan. Të gjitha këto bëhen thjesht për të tërhequr vëmendjen nga ajo që po ndodh këto ditë. Fakti që edhe ju nuk po pyesni për legalizimet, por po pyesni për broçkullat që thotë PD-ja tregon që ata po ja arrijnë qëllimit. Qëllimi im është ky ne do të bëjmë legalizimi, ne do ti bëjmë falas, kush ka ankesa le të vijë tek ne. Kush mbetet i pakënaqur të ndjek procedurat e shtetit shqiptar, dhe kush nuk mbetet i kënaqur as nga shteti shqiptar, le të shkojë tek PD-ja se ja zgjidh ajo.
Add new comment