Kurbin, vritet me plumb në kokë i riu

Trupi i Marsel Pajës është gjetur në një kanal. Shoqërohen disa persona që kanë lidhje gjaku
Ardi Bushi
Një 24-vjeçar është gjetur i vdekur në një rrugë dytësore në fshatin Gjormë të Rrethit të Kurbinit. Disa kalimtarë kanë pikasur trupin e pajetë të të riut, në një kanal në anë të rrugës, ku menjëherë është lajmëruar Policia e Kurbinit, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet. Verifikimet e para kanë qenë për identifikimin e viktimës dhe pas dy orësh, ekspertët e policisë thanë se ai është Marsel Paja, 24 vjeç, banor i fshatit Gjormë. Të afërmit e tij kanë identifikuar Marselin nga shenjat dalluese, ndërsa mjekoligjorët përcaktuan se Paja është qëlluar me armë zjarri në kokë. Deri dje pasdite, Policia e Kurbinit tha se janë shoqëruar disa persona që kanë lidhje gjaku me viktimën.
Banorët gjetën trupin
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, mësohet se Marsel Paja është gjetur dje rreth orës 10:00 të paradites, pa jetë, në anë të një rrugë dytësore që lidh fshatin Gjormë me superstradën Mamurras–Laç në një kanal. Fillimisht është dyshuar se viktima ishte përplasur nga ndonjë mjet dhe ishte lënë në vend i vdekur. Por, pas marrjes së trupit të pajetë dhe dërgimit të tij në morgun e spitalit të Kurbinit, është vënë re se ai ishte qëlluar me armë zjarri. Kjo ka bërë që Policia e Kurbinit ta dërgojë atë në Tiranë, për të bërë këqyrjen e kufomës nga ekspertë të mjekësisë ligjore. Sipas të njëjtave burime, mësohet se edhe nga këqyrja nga mjekët ligjorë në Tiranë është arritur në konkluzionin se Marsel Paja është qëlluar me një plumb në kokë, i cili i ka marrë jetën. Ndërkohë që policia ka kryer verifikimet në vendin e ngjarjes, ka nisur edhe shoqërimet e para në polici.
Shoqërimet në polici
Edhe pse nuk ka një pistë ekzakte, mësohet se policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Kurbinit, njerëz të cilët kanë lidhje gjaku me viktimën. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se hetimet janë përqendruar tek të afërmit e viktimës, pasi kanë hasur në kontradikta në dëshminë e familjarëve. Sipas informacioneve, mësohet se Marsel Paja kishte dalë në mëngjes nga shtëpia e tij, ku do shkonte në qytetin e Mamurrasit. Të afërm të familjes, por edhe banorë të zonës janë shprehur se nuk e kanë dëgjuar krismën e armës në vendin që është Paja dhe se rruga ku ai është gjetur, frekuentohej rregullisht nga banorë të zonës. Po kështu, sipas policisë, viktima nuk është parë nga banorë të zonës duke udhëtuar në drejtim të vendit ku është gjetur i vdekur, çfarë i ka ndërlikuar edhe më shumë hetimet. Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur gëzhoja e plumbit. Ndërkohë, policia dyshon se vendi ku është gjetur kufoma nuk është vendi ku është ekzekutuar 24-vjeçari Paja, por dyshohet që ai të jetë vrarë në një vend tjetër dhe është hedhur në kanalin buzë rrugës, për të humbur gjurmët e krimit.
Kontrollet në fshat
Burime zyrtare të policisë shprehen se nuk dihen ende motivet e vrasjes së të riut. Policia e Kurbinit ka vazhduar shoqërimet, ku në ndihmë të uniformave blu kanë ardhur edhe forcat speciale të Shkodrës. Deri dje pasdite janë marrë në pyetje të paktën 18 persona, por grupi hetimor nuk ka mundur të identifikojnë e autorin e krimit, si dhe motivet e vrasjes. Policia po mban nën kontroll fshatin ku është gjetur viktima, duke vijuar kontrolle nëpër banesa, për të gjetur ndonjë gjurmë që lidhet me krimin e Marsel Pajës. Sipas policisë, Paja ishte i pa punë dhe nuk ka qenë kontingjent policie, gjë që e ka rritur shkallën e vështirësisë për gjetjen e autorit të vrasjes.
Detaje
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta2/styl...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Gjetja - Marsel Paja është gjetur dje rreth orës 10:00 të paradites, pa jetë, në anë të një rruge dytësore që lidh fshatin Gjormë me superstradën Mamurras–Laç, në një kanal
Hetimet - Nga këqyrja e trupit nga mjekët ligjorë në Tiranë është arritur në konkluzionin se Marsel Paja është qëlluar me një plumb në kokë, i cili i ka marrë jetën
Shoqërimet - Policia e Kurbinit ka vazhduar shoqërimet gjatë gjithë ditës, ku në ndihmë të uniformave blu kanë ardhur edhe forcat speciale të Shkodrës, të cilat kanë marrë në pyetje të paktën 18 persona
SHQIP
Add new comment