Kryeprokurori Llalla: “21 Janari”, prokurorët do vendosin të pavarur, s’do ketë hetim për organizatorët

Postuar në 25 Janar, 2013 03:32

 

Prokuroria është në fazë verifikimi për akuzat e ditëve të fundit të ngritura nga dy kampet politike për afera korruptive dhe abuzime me fondet publike. Pohimi ka ardhur nga kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, i ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla. I pyetur për akuzat që janë lëshuar nga foltoret e dy selive kryesore politike, Llalla ka deklaruar se prokuroria është në fazë verifikimi dhe nëse do të shihen element të veprës penale do të ngrihen akuzat.

“Në disa prej këtyre rasteve janë dorëzuar kallëzime nga Bashkia e Tiranës në lidhje me objektin e ndërtuar nga të afërmit e zonjës Basha. Kallëzime të tjera nuk ka. Për të gjitha këto raste janë në proces verifikimi para se të vendoset fillimi ose jo i procedimit penal. Dua të theksoj se organi i prokurorisë para se të vendose fillimin ose jo të procedimit, kryen disa veprime verifikuese nëse ka elementë të veprës penale apo jo. Të gjitha këto raste janë në proces verifikimi dhe në ditët në vijim do vendoset nëse do fillojnë apo jo hetimet”, ka thënë Llalla.

Ndërkohë për procesin e 21 janarit, ku në datën 30 janar pritet të jepen konkluzionet e organit të akuzës, Llalla ka deklaruar se nuk do të ndikojë në vendimmarrje dhe prokurorët e çështjes do të vendosin në mënyrë të pavarur . “Nisur nga fakti që kam ardhur në ditët e fundit të gjykimit, kam menduar të mos ndikojë në vendimmarrje. Mbështes prokurorët që përfaqësojnë akuzë”, ka thënë Llalla. Ai ka deklaruar se nuk do të ketë rihapje të çështjes për pjesën e organizimit, të pjesëmarrësve. “Vepra është amnistura dhe është pushuar. Nuk do të rihapen hetime për organizatorët, sepse është amnistuar si vepër penale. Vetëm me deklarata publike nuk mund të kemi hetime”, ka thënë Llalla.

I pyetur për çështjen e shumë debatuar të “Gërdecit”, Llalla ka deklaruar se nuk mund të vlerësojë se si është hetuar çështja, pasi ajo është në fazën e gjykimit, por premtoi se do të shqyrtojë personalisht kërkesën e familjarëve të viktimave të Gërdecit për hetimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në këtë ngjarje. Ndërsa për procesin e “Rrugës së Kombit” Llalla pohoi se qoftë dhe nga një bisedë e rastit dhe vullneti i tij mund të iniciohet hetimi.

I pyetur për mbarimin e mandatit të paraardhëses së tij Ina Rama, Llalla vlerësoi se ai përfundoi në bazë të përcaktimeve ligjore ashtu siç dhe vërtetoi Kuvendi i Shqipërisë. Ndërsa lidhur me mbështetjen e ndërkombëtarët, Llalla u shpreh se “ndërkombëtarët mbështesin institucionet dhe jo individët, kështu mendoj se ndodh dhe në rastin tim”.

Ai premtoi se do të punojë për ndryshimin e imazhit dhe rikthimin e besimit tek organi i prokurorisë. Llalla deklaroi se po bëhen verifikime në disa prej prokurorive të rretheve, dhe u bëri thirrje vartësve të tij, që mendojnë se kanë shkelur apo shmangur ligjin, të japin dorëheqjen përpara se të nisin masat disiplinore dhe penale ndaj tyre. Llala ka siguruar se pozicioni i tij nuk mund të varet nga rotacioni politikë dhe garantoi se ai do të përballojë çdo formë presioni nga politika.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.