Kryebashkiaku Basha padit prefektin për buxhetin e Tiranës.

Konflikti Bashki e Tiranës-Prefekturë për çështjen e buxhetit shkon në Gjykatën Administrative.Konfirmimi i pjesshëm i ligjshmërisë që ka bërë Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, për vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datë 26 shkurt është për gjykim në Gjykatën Administrative të Tiranës. Padia është bërë nga Bashkia e Tiranës dhe seanca e parë gjyqësore është sot në orën 12:30.
Në kërkesëpadinë e Bashkisë së Tiranës, e cila mban firmën e kryebashkiakut Lulzim Basha, kërkohet “Shfuqizim i pjesshëm i shkresës nr.1028/1 datë 17.3.2014 të prefektit të Qarkut Tiranë, lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak (VKB) nr.1 datë 26.2. 2014″. Nëpërmjet kësaj shkrese prefekti i Tiranës konfirmon ligjshmërinë e vendimit të këshillit për miratimin e projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës, por nuk konfirmon një pjesë të tij që ka të bëjë me shpronësimet për interes publik, për ndërtimin e rrugëve, shkollave etj, me vlerë 580 milionë lekë për vitin 2014. Pikërisht ky kushtëzim ka bërë që Bashkia e Tiranës t’i drejtohet Gjykatës Administrative, pasi e konsideron tejkalim kompetencash të institucionit të Prefektit.
Konflikti
Në seancën e sotme gjyqësore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë do të gjykohet kërkesëpadia e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, e cila mban datën 16.4.2014 ndaj prefektit të Tiranës. Gjyqtari i çështjes është Eriol Roshi. Konflikti mes këtyre dy institucioneve po zgjat prej dy muajsh duke sjellë bllokimin e buxhetit të Tiranës për vitin 2014. Ngërçi ka lindur nga shkresa nr.1028/1 për konfirmim ligjshmërie të prefektit, i cili në pjesën e parë shkruan se:-”Vendimi nr.1 konfirmohet në përputhje ligjin. Ndërsa pjesa e përcaktuar në program-buxhet në faqen 129 të tij tek shpronësimet në interes publik (kompensimi i pronarëve që përdoren për interes publik si për ndërtimin e rrugëve, shkollave etj.) me vlerë (580,955,290 lekë për vitin 2014), në të cilën nuk është pasqyruar saktë vlera e dëmshpërblimit për shpronësimet e qytetarëve sipas VKM nr. 752 dt 05.09.2013.
“Për shpronësimin në interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe rehabilitimi të lumit të Tiranës, faza e parë, në Bashkinë e Tiranës”, nuk konfirmohet”. Më tej në shkresën e tij prefekti kërkon që bashkia ta parashikojë të plotë vlerën e shpronësimit dhe jo të copëzuar. Ky vendim nga Bashkia e Tiranës është konsideruar i paligjshëm dhe nëpërmjet tij prefekti ka tejkaluar kompetencat duke shkelur nenin 118, të Kodit të Procedurës Administrative, i cili përbën edhe bazën ligjore të kërkesë-padisë që ata kanë ngritur për “Shfuqizim të pjesshëm të shkresës nr.1028/1 datë 17.3.2014 të Prefektit të Qarkut Tiranë, lidhur me VKB nr.1 26.2014″. Ndërkohë që ‘ngërçi’ ligjor mes këtyre institucioneve është ngatërruar edhe më shumë me vendimin e datës 30 prill të Këshillit Bashkiak, i cili ka miratuar revokimin e buxhetit, pikërisht duke u bazuar në shkresën e prefektit.
Add new comment