Kreu i komunitetit mysliman uron besimtarët për Kurban Bajramin.

Postuar në 03 Tetor, 2014 07:29

Në prag të festës së Kurban Bajramit, e cila është festa më e madhe në kalendarit islamik ka ardhur urimi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Brucaj. “Kjo ditë e bekuar, dita e sakrificës në konceptin njerëzor, është shumë më e madhe dhe më e begatë në aspektin hyjnor.

Është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes ndaj begative të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia dhuron njerëzimit, me dëshirën dhe vullnetin e Tij që ne të jemi mëkëmbësit e Tij në sipërfaqen e tokës, duke i shfaqur dhe shpërndarë këto begati mes njëri-tjetrit dhe duke i gëzuar ato me të gjithë pjesëtarët e familjes së madhe njerëzore.  

Kurban Bajrami është dita kur ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje dhe gëzim, me paqe dhe vëllazëri,”-është shprehur Brucaj. Gjatë festës së Kurban Bajramit kryhet rituali i flijimit të një qengji, i cili simbolizon sakrificën, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut, Krijuesit të Gjithësisë. Gjatë ditës së nesërme në orët e para të mëngjesit pritet të realizohet falja e madhe në xhaminë e Tiranës për të gjithë besimtarët. 

Urimi i plotë i Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Brucaj
 

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
 
Më lejoni si fillim, që të uroj ne emrin tim personal dhe të institucionit që përfaqësoj, besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen:
 
Gëzuar festën e Kurban Bajramit!
 
Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut, Krijuesit të Gjithësisë.
 
Mijëra shqiptarë myslimanë nga të gjitha trevat dhe diaspora i janë bashkuar miliona besimtarëve të mbledhur nga e gjithë bota në vendet e shenjta, në Mekë, për të kryer Haxhin, ku të gjithë të barabartë para Zotit të Madhëruar, luten për paqe, mirësi e begati për mbarë botën.
 
Kjo ditë e bekuar, dita e sakrificës në konceptin njerëzor, është shumë më e madhe dhe më e begatë në aspektin hyjnor. Është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit; ditë e mirënjohjes ndaj begative të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia dhuron njerëzimit, me dëshirën dhe vullnetin e Tij që ne të jemi mëkëmbësit e Tij në sipërfaqen e tokës, duke i shfaqur dhe shpërndarë këto begati mes njëri-tjetrit dhe duke i gëzuar ato me të gjithë pjesëtarët e familjes së madhe njerëzore.
 
Kurban Bajrami është dita kur ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje dhe gëzim, me paqe dhe vëllazëri.
 
Le t’i gëzohemi së bashku kësaj dite te begate, në të cilën shpresat, dëshirat dhe ëndrrat tona kthehen nga i Plotfuqishmi dhe realizimi i këtyre aspiratave le të pasqyrohet në aktet dhe veprimet tona në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ngrohtësinë, dashurinë dhe vëmendjen e të gjithëve ne.

Le ti shohim te gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne i Madhërishmi dhe le të bëhemi sot në këtë ditë, pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e saj.
 
Mirësia e Kurbanit, që e karakterizon këtë festë, synon bashkimin e zemrave dhe përçimin e frymës së respektit, dashurisë dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.
 
Qoftë kjo ditë për Shqipërinë dhe shqiptarët ditë feste, hareje e bashkëpunimi dhe mirësia e saj mbretëroftë në shtëpitë dhe sofrat tona.
 
Gëzuar dhe për shumë vjet festën e Kurban Bajramit. Paqe, begati e mirësi për popullin shqiptar dhe mbarë popujt e botës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.