Kosta Barjaba rikthehet në Shqipëri

Kreu i Grupit të Punës për Çështjet Sociale të programit “Rilindja shqiptare” është kthyer në Shqipëri. I kontaktuar në telefon nga “Panorama”, Barjaba konfirmoi që është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndronte i ndaluar nga Policia, i akuzuar për përvetësim të paligjshëm të mallrave. Por Barjaba nuk donte të bënte asnjë koment për akuzat ndaj tij nga Policia amerikane.
“Nuk kam asnjë koment, do të flas në momentin e duhur”, tha për “Panorama” Barjaba. Pas interesimit nga ana e gazetës për hyrje-daljet e çiftit Barjaba përmes sistemit TIMS, mësohet se Kosta dhe Fatbardha Barjaba janë larguar nga Shqipëria me destinacion Vjenën në 21.12.2012, për të fluturuar më pas në Kaliforni. Çifti është kthyer në 15 janar në Shqipëri, ndërsa ende nuk dihet se si e ka mbyllur ai çështjen e akuzave të Policisë amerikane ndaj tij.
Ngjarja
Tre shqiptarë u ndaluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vjedhje të disa rrobave dhe një çantë në qendrën tregtare “Stanford Shopping Center”, në Palo Alto të Kalifornisë. Këtë lajm e raportuan sitet amerikane, Palo Alto Online News dhe Bay City News.
Policia amerikane bëri të ditur edhe emrat e shqiptarëve, Kosta dhe Fatbardha Barjaba, 52 vjeç dhe Joniada Barjaba, 23 vjeç, të cilët janë dërguar në institucionin e paraburgimit në San Mateo County’s Maguire Correctional Facility. Mediat amerikane raportuan se Barjaba është qytetar dhe rezident në Shqipëri dhe pas ndalimit, bashkë me dy të afërmit e tij, do të përballet me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.
PANORAMA
Add new comment