Korrespondenca me biznesmenin Ansar, shkarkohet ambasadori Banaj

Postuar në 19 Janar, 2013 12:44

 

Admir Banaj është shkarkuar nga detyra e ambasadorit të Shqipërisë në Arabinë Saudite. Emri i zotit Banaj u bë i njohur mesin e muajit dhjetor, kur deputeti socialist Taulant Balla publikoi një korrespondencë mes tij dhe biznesmenit Zafar Ansar.

Top Channel ka mësuar se Ministria e Jashtme, me një shkresë drejtuar Presidentit të Republikës më 11 dhjetor 2012 i kërkonte kreut te shtetit, shkarkimin nga detyra të ambasadorit Banaj. Data e kërkesës për shkarkim drejtuar presidentit Nishani përkon me momentin, kur për herë të parë opozita e akuzoi ambasadorin Banaj se kishte shpërdoruar detyrën duke u kthyer në një sekser mes biznesmenit Zafar Ansar dhe zyrës avokatore të Argita Malltezit.

Në një intervistë për Top Channel vetë Ansar rrëfeu se ishte vetë Banaj ai i cili i kishte prezantuar kompaninë e Argita Malltezit për të vijuar tratativat e ndërtimit të një TEC-i prej 100 milionësh. Sipas një mesazhi përmes postës elektronike që mban datën 22 tetor 2007, ambasadori Banaj i shkruan Zafar Ansar, se sipas opinionit të tij, ai duhet të vijonte së bashkëpunuari me Argita Malltezin, për vetë lidhjet që ajo ka përfshi aftësitë dhe përkushtimin.

Janë më shumë se tre korrespondenca mes Banajt dhe Ansar prej të cilave opozita thotë se ambasadori me dëshirën e tij apo imponimin e të tjerëve e ktheu veten nga një diplomat në urë lidhëse mes Argita Malltezit dhe Zafar Ansar duke shkelur praktikat e një përfaqësuesi të shërbimit diplomatik. Kjo me sa duket është edhe kostoja që Banaj duhet të paguajë duke u shkarkuar nga detyra e ambasadorit në Arabinë Saudite. Kërkesa e Ministrisë së Jashtme është pranuar nga presidenti Nishani, i cili 9 ditë më pas nëpërmjet dekretit numër 7865 e liron nga detyra Admir Banajn, si ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, rezident, si dhe nga detyra e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bahreinit, në Sulltanatin e Omanit, në Kuvajt dhe në Republikën e Jemenit, jorezident.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.