KLD shkarkon gjyqtarin e Shkodrës, paralajmërohen edhe katër të tjerë.

KLD ka shkarkuar nga detyra nje gjyqtare te Vlores, ka ulur ne detyre nje gjyqtare te Tiranes dhe ka paralajmëruar per shkarkim tre gjyqtarë të tjerë në mbledhjen me dyer të mbyllura të mbajtur në Tiranë.
Burimet zyrtare thanë se nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 15.04.2014 mbledhjen plenare, e cila kishte në rend të ditës, shqyrtimin e propozimeve të Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor për pesë gjyqtarë.
Në të pesë rastet e propozuar për procedim disiplinor, konstatimi i shkeljeve të bëra nga ana e gjyqtarëve ka qënë iniciativë e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bazuar në verifikimin e ankesave të qytetarëve të mbërritura pranë këtij institucioni, ankesa të cilat konsistonin në: zvarritje e pajustifikuar e procesit gjyqësor (duke perfshire edhe vonesat e pajustifikuara ne zbardhjen e vendimeve), shkelje haptazi e ligjit procedural dhe moszbatim i vendimeve unifikuese.
Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, u shpreh se KLD, nuk do të hezitojë asnjëherë, që ato gjyqtarë, të cilët do të guxojnë të shkelin dhe mosrespektojnë ligjin, do të përballen me masa tepër të ashpra.
Pas diskutimeve mes anëtarëve, bazuar në disa relacione të dërguara Ministrit të Drejtësisë, nga Zëvendëskryetari i KLD-së për të gjykuar mundësinë eventuale mbi fillimin e procedimit disiplinor, Këshilli vendosi shkarkimin nga detyra të z. Albano Çepele, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares Elona Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas diskutimeve, Këshilli miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për të dhënien e masës disiplinore ndaj gjyqtares Elona Gjoka, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, në një gjykatë të një niveli më të ulët dhe konkretisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Mbledhja vijoi më pas, me shqyrtimin e masës disiplinore ndaj znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, për të cilën Ministri i Drejtësisë kërkoi paraprakisht ndryshimin e propozimit fillestar nga “shkarkim nga detyra” në “vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të miratojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
Bazuar në rendin e ditës, mbledhja e Këshillit vijoi me shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj znj. Nazmije Pengili, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, për të cilën Ministri i Drejtësisë kërkoi paraprakisht ndryshimin e propozimit fillestar nga “shkarkim nga detyra” në “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”. Pas diskutimeve, Këshilli miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për znj. Nazmije Pengili, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj znj. Engjëllushe Tahiri, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, për të cilën Ministri i Drejtësisë kërkoi masën disiplinore nga “Shkarkim nga detyra”. Pas diskutimeve, Këshilli rrëzoi me shumicë votash këtë propozim të Ministrit të Drejtësisë dhe miratoi propozimin e dytë të tij për masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për znj. Engjëllushe Tahiri, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.
Add new comment